Konfiskime të armëve dhe narkotikëve

19.11.2016 12:59:06

Gjatë 24 orëve të fundit policia në disa raste të ndara ka konfiskuar armë e narkotikë, duke arrestuar personat të cilëve u janë gjetur droga dhe armët.

Sipas raportit 24 orësh të policisë gjatë ditës së djeshme në disa rajone të Kosovës ka pasur arrestime për gjetje armësh dhe droge.

Në Qafë të Prushit, vendkalimin kufitar Kosovë-Shqipëri, policia në bashkëpunim me doganën pas ndalimit të makinës së markës “Ford Focus” zbuloi katër kilogramë të një substance që dyshohet të jetë narkotike.

Sasia e dyshuar e narkotikëve është sekuestruar, ndërsa i dyshuari është dërguar në ndalim policor.

Marijuanë është gjetur edhe gjatë bastisjes së një shtëpie në Rrugën “Isa Kastrati” të Gjilanit.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë gjetur dhe konfiskuar 14 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë. Gjatë intervistimit i njëjti ka pranuar se në një shtëpi të pabanuar në Novobërdë ka fshehur edhe 14 paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë të cilat po ashtu janë konfiskuar me ç ‘rast sasia e përgjithshme e narkotikëve  është rreth 316.1 gramë,” thuhet në raportin e policisë.

Policia ka zbuluar marijuanë edhe në fshatin Velekincë të Gjilanit.

“Është arrestuar i dyshuari pasi që gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur dhe konfiskuar 553.2 gramë substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë,” bën të ditur policia.

Forcat e rendit konfiskuan edhe armë në disa raste.

Në Llapashticë të Podujevës policia i “trokiti” në derë një të dyshuari pasi ai kishte publikuar foto me armë në një rrjet social.

Gjatë bastisjes në atë shtëpi u konfiskua një armë e gjatë e llojit “AK-47” dhe 12 fishekë.

Arsenal armësh policia zbuloi edhe në Skorobisht të Prizrenit ku në një shtëpi u gjetën dhe u konfiskuan një revole e tipit “Ekol Special”, dy pushkë ajrore me 81 fishekë, një shufër gome, tri thika  dhe 98 fishekë të kalibrave të ndryshëm.

Po në Skorobisht në një rast tjetër policia gjatë bastisjes së një shtëpie konfiskoi një pushkë gjuetie dhe një pushkë dhjetëshe.