Konjufca telefonatë homologun italian, ia shpreh solidaritetin e Kosovës në betejën e Italisë me koronavirusin

09.04.2020 13:52:22

Kryediplomati në detyrë i Kosovës, Glauk Konjufca ka bërë të ditur të enjten se homologut italian, Liuigi di Maion, ia ka shprehur solidaritetin e Kosovës në betejën e popullit italian me pandeminë e koronavirusit.

Përmes një postimi në Facebook, Konjufca ka treguar se këtë gjë ia ka thënë Di Maios gjatë bisedës telefonike të zhvilluar mes tyre, të mërkurën.

Ministri në Detyrë i Jashtëm po ashtu ka treguar se homologun e tij e ka njoftuar për gjendjen në Kosovë me pandeminë e koronavirusit dhe hapat e ndërmarrë nga autoritetet.

Postimi i plotë:

Gjatë ditës se djeshme zhvillova një bisedë telefonike me homologun tim italian, Shkëlqesinë e Tij z. Luigi Di Maio.

Gjatë kësaj bisede i shpreha ngushëllime për viktimat e pandemisë COVID-19 dhe i urova që të infektuarit të shërohen sa më shpejt dhe t’u bashkohen familjeve të tyre. Në emër të Republikës së Kosovës shpreha solidaritetin tonë për betejën që populli italian po e bën me këtë pandemi.

Gjithashtu, z. Di Maio e njoftova për situatën e krijuar nga pandemia në Republikën e Kosovës dhe për masat, të cilat po i ndërmerr Qeveria e Republikës së Kosovës për ta ngadalësuar përhapjen e këtij virusi.

Në fund, u pajtuam që t’i vazhdojmë kontaktet tona për të shkëmbyer përvojat në këtë betejë të përbashkët botërore dhe për t’i zgjeruar e thelluar edhe më tutje raportet e shkëlqyeshme mes shteteve dhe popujve tanë.