Konstituimi i institucioneve dhe zgjedhjet lokale

22.08.2017 17:28:07

Nga Rexhep Kastrati

Kanë klauar më shumë se dy muaj që kur janë mbajtur zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë dhe ende nuk është konstituar Kuvendi dhe nuk është formuar Qeveria e Kosovës. Ende pa u shpallë zyrtarisht rezultatet, por që paraprakisht dihej një rezultat paraprak, filluan spekulimet lidhur me konstituimin e institucioneve: PAN thoshte se i kishte numrat dhe priste vetëm që KQZ të shpallte rezultatet zyrare që të zgjidhte kryetarin e Kuvendit dhe të Qeverinë. Nga ana e tyre, LAA dhe VV kishin deklaruar se nuk do të bënin koalicion me PAN-in dhe linin për të kuptuar një koalicion të mundshëm ndërmjet tyre për konstituimin e institucioneve. Ndërkohë kanë kaluar mbi një muaj që kur KQZ ka shpallë rezultatet zyrtare, megjithatë PAN nuk po  mund t’i sigurojë numrat për të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë, kurse VV dhe LAA kanë deklaruar se do ta votonin një kandidat tjetër të PAN-it, por jo Kadri Veselin. Ky qëndrim fillimisht ka qenë i VV-së, por më vonë u shpreh edhe nga LAA.

Gjatë ditëve të fundit ka shenja se AKR mund të dalë nga LAA dhe të bashkohet me PAN-in, duke lënë të kuptohet se do të ndihmojë që PAN të zgjedhë kryetarin e Kuvendit dhe Qeverinë. Në një situatë të tillë, LDK mbetet partia më e dëmtuar, pasi që edhe një herë u dëshmua se koalicionet e saj me parti të tjera janë të paqëndrueshme, dhe kjo ndodh edhe për shkak se PDK, AAK, VV, Nisma janë njësoj dhe AKR në këtë mes nuk e ka pasur dhe nuk e ka problem që të bëhet me to në dëm të LDK-së dhe të vendit, ashtu siç ka bërë më 2010 – 2014. Rasti me AKR-në, është edhe një dëshmi se LDK nuk mund të llogarisë në aleanca parimore, prandaj, edhe nuk duo të duhej të luante në bazë parimore me partitë tjera. E LDK, edhe për shkak të luftës speciale të bërë kundër saj dhe kundër Qeverisë së drejtuar nga kryeministri Mustafa, nuk arriti që të luante lojën e saj, ashtu siç ia luajti më 2014 kur edhe ua mori Qeverinë. Në njërën anë imponimi medietik i një mundësie për koalicion me VV-në, kurse në anën tjetër demonizimi i koalicionit paraprak me PDK-në, bënë që LDK të mos mund të kishte shumë hapësirë manevrimi politik, duke mbetur në shumë rast vetëm një statujë politike.

Caktimi i datës për zgjedhje lokale, dhe ndërlidhja e koalicioneve qeverisëse me to, gjithsesi ka ndikuar dhe ëshë duke ndikuar në situatën sociopolitike dhe politiko-institucionale. Një gjendje e nderë, në të cilën LDK është bërë cak i sulmeve si zakonisht, është shumë e dukshme se do të shtrihet edhe në nivel të zgjedhjeve lokale. Në këtë kontekst duhet thënë se LDK do të goditet në njërën anë nga një luftë speciale që do të ketë për qëllim që të favorizojë kandidatët për kryetarë komunash që njihen si mbështetës të Vjosa Osmanit dhe kundërshtues të Isa Mustafës, e në anën tjetër edhe që do të synojë që të imponojë koalicione në nivel komunash që në balotazh të mbështetet akëcili kandidat i njërës, apo tjetrës parti. Po ashtu, krahas këytre, LDK do të ballafaqohet edhe me një tendencë që partitë tjera të bartin problematikën e koalicioneve në nivelin qendror, në nivel komunash, duke gërshetuar intersa, taktika dhe strategji për dëmtimin e LDK-së. Rasti i zgjedhjeve lokale të vitit 2013 në Prishtinë kur u bënë bashkë të gjitha partitë kundër LDK-së, është një dëshmi dhe një mundësi që situata të tilla të kemi shumë nëpër komuna të ndryshme të Kosovës.

Përballë gjithë kësaj, LDK është me një sistem të shkatërruar të informimit, edhe pse vitin e kaluar është miratuar një platfromë për medie, e që ka mbetur vetëm në letër, apo vetëm në ndonjë qoshe të ndonjë kompjuteri. Përveç kësaj, edhe medie dhe portale të ashtuquajtura pro LDK, do të bëjnë një fushatë selektive, e motivuar edhe nga fushata kundër kryeministrit Mustafa dhe Qeverisë së drejtuar nga ai. Gjithë çështja ka rënë në nivel të angazhimeve individuale të kandidatëve, të cilët paguajnë mijëra e dhjetramijëra euro mediet dhe portalet e njohura si kundër LDK, duke shpresuar se në atë mënyrë do të mund të arrijnë rezultat pozitiv.

Në këto kushte, LDK do të jetë shumë e hendikepuar dhe shumë e sfiduar me sfida dhe me vështirësi që mund ta vënë në situata të rënda. A do të mjaftojë vetëm idealizimi dhe lidhja emocionale e mbështetësve të LDK-së që të përballohen të gjitha sfidat, dhe të arrihet rezultat pozitiv, mbetet të shihet, ashtu siç mbetet të shihet se si do të reflektohet me tej kriza institucionale në nivelin qendror, edhe në nivelin lokal.