Korçë, grabitet me armë një banesë

27.03.2017 09:01:09

Një grabitje me dhunë ka ndodhur  në orët e para të mëngjesit të sotëm në Kamenicë të Korçës. Denoncimi është bërë mëngjesin e sotëm nga shtetasi N.B, 53 vjeç, banues në fshatin Kamenicë.

Ky shtetas deklaron se rreth orës 01:45 në banesën e tij private në fshatin Kamenicë, kanë hyrë dy persona të maskuar të cilët dyshohet të kenë pasur edhe armë. Këta të fundit, pasi kanë ushtruar dhunë fizike ndaj dy personave që ndodheshin në banesë, kanë vjedhur kasafortën brenda së cilës kishte një sasi lekësh, disa dokumente dhe më pas janë larguar.

Nga ana e Policisë, po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Materialet  i kaluan Prokurorisë  të Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprën penal “Vjedhja me dhunë, e kryer në bashkëpunim”.