KOSNETT: VITI 2019 DUHET TË JETË VIT I MARRËVESHJES GJITHËPËRFSHIRËSE

28.12.2018 17:43:50

“Mendoj se 2019-ta mund të jetë vit i marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Nëse marrëdhëniet mes Serbisë e Kosovës nuk përmirësohen, do të bëhet edhe më keq. Vërtetë s’ka mundësi të mbahet status quo-ja”, ka thënë në intervistën për KoSSev ambasadori i ri i SHBA-ve në Kosovë, Philip Kosnett.

Ai thekson se Amerika dëshiron të ndodhë “marrëveshja gjithëpërfshirëse mes dy vendeve”, e cila duhet t’i ketë parasysh brengat dhe sigurinë e serbëve në Kosovë. “Por kjo s’do të thotë se Amerika do të përkrahë çdo marrëveshje të dy qeverive”, shton Kosnett.

Ai thekson se qëndrimi amerikan nuk dallon shumë nga ai evropian, sa i përket marrëveshjes.

Sipas ambasadorit Kosnett, administrata e presidentit Trump i vëzhgon ato që quhen konflikte të ngrira në gjithë botën dhe e ka qëndrimin që “duhet të shkunden gjërat, tani duhet të shënohet përparim” dhe ai mendon se ky angazhim i presidentit Trump është mirëpritur si në Kosovë ashtu edhe në Serbi.

Ambasadori Kosnett theksoi se qeveria amerikane do ta konsideronte hap pozitiv heqjen e taksës për prodhimet e Serbisë, që do të ndihmonte që procesi i dialogut të përparonte. Ai ka vlerësuar themelimin e delegacionit shtetëror me përkrahje edhe të një pjese të opozitës dhe ka thënë që qeveria e tij beson fuqishëm që ky është momenti për unitet kombëtar dhe se në këtë proces do të duhej të merrnin pjesë të gjitha partitë politike dhe pjesëtarët e të gjitha komuniteteve.

“Sa i përket çështjes së kufijve – korrigjimit, shkëmbimit të territorit e gjërave të tjera, politika e SHBA-ve ka qenë konsistente se ne nuk kemi një zgjidhje të parapëlqyer. Ne nuk duam të shkruajmë se si do të duket marrëveshja në mes të Kosovës e Serbisë. Këtë e ripërsërisim, edhe pse jo të gjithë e pranojnë këtë shpjegim, por kjo është e vërteta. Nëse qeveritë, qytetarët e dy vendeve, mund të arrijnë marrëveshje për çështje ekonomike, politike, të sigurisë, arsimore, kulturore e ligjore, të cilat i kanë ndarë, kjo do të ishte e shkëlqyeshme; e ne do të shohim si do të duket kjo krejt në fund. Është në interes të SHBA-ve të ketë paqe, prosperitet dhe drejtësi në Kosovë, në Serbi dhe në të gjitha vendet e rajonit.”

Duke folur për marrëveshjen e mundshme dhe mundësinë që SHBA-të ta njohin atë, ambasadori Kosnett tha: “Nëse dy qeveritë gjejnë zgjidhjen që është e pranueshme për qytetarët e të dy vendeve, që do të sillte përmirësimin e synimeve tona për paqe, prosperitet, drejtësi për vendet dhe për rajonin, ajo do të përkrahet nga Shtetet e Bashkuara. Ne nuk nënshkruajmë “çek blanko”, që do të thotë se SHBA-të nuk do të përkrahim gjithçka për të cilën pajtohen dy qeveritë, dhe kjo është një gjë e rëndësishme.”, por duke theksuar se përkundër optimizmit për një marrëveshje të tillë, nuk mund të flasë hipotetikisht se si do të duket ajo.

Diplomati amerikan ka folur, po ashtu, edhe për punën e Gjykatës Speciale, duke ritheksuar përkrahjen amerikane për punën e saj dhe duke bërë thirrje që ata që janë ftuar nga kjo gjykatë të bashkëpunojnë lidhur me hetimet dhe të përpiqen që me mbrojtjen e tyre të pastrojnë emrat e vetë, siç kanë bërë më parë edhe disa personalitete të larta të Kosovës.