Kosova do të sigurojë 88 milionë euro për ndërtimin e rrugës Kijevë – Zahaq

11.05.2018 13:16:43

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë është miratuar vendimi për t’i rekomanduar presidentit të Kosovës dhënien e autorizimit ministrit të Financave për nënshkrimin e Marrëveshjes Ndërkombëtare për financimin e ndërtimit të rrugës Kijevë-Zahaq, njofton kumtesa qeveritare, transmeton Koha.net.

Marrëveshja financiare për këtë projekt ka vlerën 80 milionë euro. Kjo marrëveshje kompleton financimin nga institucionet ndërkombëtare financiare për autostradën Kijevë-Zahaq, e cila financohet me 71 milionë euro kredi nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim dhe 17 milionë euro fonde nga burimet tjera.

Po sot është miratuar nisma për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare për negocim të marrëveshjes për grant nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, për financimin e projektit të rehabilitimit të linjës hekurudhore Fushë Kosovës-Mitrovicë. Shuma e garantit ka vlerën 17,2 milionë euro.

Është miratuar edhe Strategjia e komunikimit dhe informimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës 2018-2021. Strategjia trajton komunikimin e procesit të Integrimit Evropian, respektivisht Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit.

Miratimin në mbledhjen e Qeverisë e ka marrë edhe vendimi preliminar për shpronësimin e përhershëm dhe krijimin e të drejtës së servitutit për interes publik të pronave të paluajtshme të cilat preken nga realizimi i projekteve për ndërtimin e linjave elektrike në Therandë, Rahovec, Drenas, Prishtinë, Mitrovicë, Fushë Kosovë dhe Graçanicë.

Edhe vendimi për shqyrtim të mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave të paluajtshme që preken nga ndërtimi i Autostradës Prishtinë-Gjilan-Dheu i Bardhë, ka marr miratimin e Qeverisë. Shpronësimi prek pronat në segmentin Banullë-Bresalc që gjenden në komunat e Lipjanit, Graqanicës, Novo Bërdos dhe Gjilanit.

Kabineti qeveritar në mbledhjen e sotme ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes ndërkombëtare në fushën e rinisë dhe sportit në mes të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Turqisë.

Miratimin në parim të kabinetit qeveritar e ka marr edhe nisma për lidhjen e marrëveshjes financiare trepalëshe në mes të Bashkimit Evropian, Kosovës dhe Maqedonisë për programin e bashkëpunimit ndërkufitar IPA II në mes të Kosovës dhe Maqedonisë. Në realizimin e këtij programi, kontributi financiar i Bashkimit Evropian është në vlerë 840 mijë euro.

Në vazhdim, Qeveria ka miratuar edhe nismën për lidhjen e marrëveshjes financiare për IPA 2018, në mes të Kosovës dhe Bashkimit Evropian.