Kosova përfshihet nga zjarret, bëhet thirrje për ndalimin e djegies së hamulloreve

02.08.2021 09:08:23

Ditëve të fundit rajoni është përfshirë nga zjarret e shumta, e kjo si pasojë motit të nxehtë dhe pakujdesisë së qytetarëve.

E derisa Shqipëria, Turqia e Greqia e vende tjera po luftojnë me zjarret tash e sa ditë, gjatë ditës së djeshme në disa pjesë të Kosovës janë paraqitur disa vatra zjarri

Fillimisht zjarri u paraqit në një zonë prej 200 hektarësh në Suharekë. Pas kësaj është raportuar edhe për zjarr në malin përball fshatit Llokovicë në Reqan të Prizrenit, derisa tjetër vatër zjarri ka shpërthyer edhe në Oshlak përball Prevallës.

Zjarri përfshiu edhe një pjesë të komunës së Fushë Kosovës.

Po ashtu edhe fshati Koshtovë e Vllahisë në komunën e Mitrovicës u përfshirë nga zjarri gjatë orëve të pasdites së djeshme.

Kryetari Agim Bahtiri kishte dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër situatën. Edhe në fshatin Gaçkë të komunës së Ferizajt, një pjesë e malit është kapluar nga zjarri.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë zjarrfikësit dhe e kanë lokalizuar zjarrin.

Ekipet e zjarrfikësve dhe njësit e specializuara të FSK-së në bashkëpunim me KFOR-in tash e disa ditë janë duke luftuar me zjarret në Rugovë të Pejës.

.