Kosova prezantohet bashkë me 50 shtete në “EXPO 2016” në Antalya

22.10.2016 11:51:40

Mbi një milion vizitorë që e kanë vizituar panairin “EXPO” 2016 në Antalya, kanë pasur mundësinë të njoftohen edhe me mundësitë e investimeve në Kosovë.

Në mesin e 50 shteteve, pjesëmarrës ishte edhe shteti i Kosovës i cili ka prezantuar mundësitë e investimeve.

Në fakt që nga muaji prill, të interesuarit në një hapësirë të veçantë janë njoftuar për potencialin që ofron Kosova.

Të premten, në prag të mbylljes së këtij panairi, një natë e veçantë iu ka kushtuar Kosovës, duke organizuar aktivitete të ndryshme brenda kampit.

“Për Kosovën është e rëndësishme prezenca këtu bashkë me 50 vende nga e gjithë bota. Kjo tregon përkushtimin që raportet tona të thellohen e të kemi më shumë bashkëpunime e investime të ndërsjellta”, ka deklaruar Zëvendësministri i Bujqësisë Vezir Januzaj.

Ndërsa komisioneri i përgjithshëm i EXPO 2016 Erduan Kok deklaroi se vizitorët kanë qenë goxha të interesuar për informatat rreth Kosovës.

“Ne jemi të interesuar të promovojmë Kosovën, kjo për faktin se vendi juaj ofron mundësi të mira. Aktualisht ka shumë biznese turke atje, por ne qëllim kemi që të sjellim edhe nga vendet tjera”, ka deklaruar Kok.

Aktivitetin e shënimit të “Ditës Kombëtare të Kosovës” në “EXPO 2016” në Antalya, e ka mbështetur edhe Oda Ekonomike Turko-Kosovare.

EXPO mbyllet më 30 tetor.

Ai është hapur prej muajit prill të këtij viti në prezencë të kryetarit turk Rexhep Tajip Erdogan