Kosova shtet i ri, por përkushtimin për atdheun e ka të vjetër, tha kryeministri Mustafa

05.03.2017 12:43:20

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se “Epopeja e UÇK-së” është festë e lirisë së Kosovës.

Mustafa ka theksuar se Kosova është një shtet i ri, por përkushtimin për atdheun e ka të vjetër dhe kjo ditë flijimi është një shembull i asaj se si  “e mira fiton ndaj të keqes”.

“Epopeja e UÇK-së është festë e lirisë së Kosovës, është kremta e vlerave të partitotizmit dhe sakrificës. Kosova është shtet i ri por përkushtimin për atdheun e ka të vjetër dhe sot shënojmë një ditë flijimi të ngritur në shembullin sesi fiton e mira ndaj të keqes”.

I pari i Qeverisë ka kujtuar “flijimin historik” të familjes Jashari, të cilin e quan si rast “unik në historinë e përbotshme”.

“5 marsi, dita e luftës epike drejtuar nga Adem Jashari është një rast shumë unik në historinë e përbotshme”, tha Mustafa, transmeton Klan Kosova.

Gjithashtu, Mustafa ka thënë se Kosova e ka të ardhmen në duart e saja.

“Kosova s’e harron të kaluarën e dhimbshme, por e gatshme të vazhdojë përpara”, ka përfunduar Mustafa.

Shefi i Qeverisë ka siguruar se shteti i Kosovës do t’i kalojë të gjitha sfidat që i vinë ballë.

“Kemi edhe shumë sfida si shtet të cilat do t’i kalojmë më përkrahjen e miqve ndërkombëtar me përkrahjen e miqve tanë. Ne e shohim të ardhmen në familjen e Bashkimit Evropian. Ne e shohim të ardhmen tanë miqësi të përhershme në Shtet e Bashkuara të Amerikës”, ka shtuar ai.

Duke thënë se e gjithë Kosova mburret me Forcën e Sigurisë dhe siç ka siguruar ai, shumë shpejt kjo forcë do të shëndrrohet në ushtri.

“Ne mburremi me FSK-në në të cilët shohim ushtrinë tonë e cila po zhvillohet në ushtri. Sot e pohojmë fuqishëm se e ardhmja e Kosovës është e sigurte”, ka thënë Mustafa.