Pas hapjes së misionit të parë diplomatik në kontinentin afrikan, diplomacia e Kosovës ka bërë edhe një shtrirje të re të përfaqësimit diplomatik jo-rezident në Oqeanit Paqësor, respektivisht në Ishujt Marshall.
Ambasadori rezident i Republikës së Kosovës në Japoni, Leon Malazogu, i ka dorëzuar letrat kredenciale nga Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tek zëvendëspresidentja e Ishujve Marshall, Amenta Matthew, (u.d. e Presidentit), duke u bërë Ambasadori i parë jo-rezident i Republikës së Kosovës në Ishujt Marshall.
Mathew dhe Malazogu kanë shkëmbyer mesazhe të miqësisë dhe kanë theksuar rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit dypalësh dhe përkrahjes së ndërsjellë në kuadër të organizatave ndërkombëtare, transmeton Klan Kosova.
Në kuadër të vizitës së tij në këtë vend, Malazogu ka zhvilluar takime të ndara edhe me përfaqësues të lartë shtetëror nga shteti pritës, duke përfshirë Ministrin e Punëve të Jashtme të këtij vendi, John M. Silk, Sekretarin e Përhershëm të MPJ-së si dhe me Ambasadorët rezident të SHBA-ve dhe Japonisë.
Republika e Ishujve Marshall e ka njohur Pavarësinë e Kosovës më 17 prill 2008, ndërkaq marrëdhëniet diplomatike dypalëshe janë vendosur më 27 tetor 2013.






































