Kosovë, vjen përgjigja e analizave për 100 raste të tjera

14.03.2020 22:06:41

Në Kosovë kanë rezultuar negative 100 rastet e tjera që dyshoheshin me koronavirus. Aktualisht numri i të infektuarve është 5, pasur sot u konfirmuan 2 të tjerë.

Sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, njëri rast është nga Stublla e Vitisë (kontakt i rastit të parë) i gjinisë mashkull 42 vjeçar, dhe një rast 37 vjeçare, shtetase kosovare me qëndrim në Itali-Brescia, e cila ka ardhur në Kosovë dhe vend qëndrimi i saj në Kosovë është fshati Bubavec, Komuna e Malishevës.

Si rezultat i dy të prekurve të fundit me koronavirus, komuna e Malishevës është futur në karantinë si masë parandaluese për t’u infektuar me COVID-19, koronavirus.

Autoritetet kosovare kanë marrë një sërë masash për të parandaluar përhapjen e sëmundjes së koronavirusit në vend.