KQZ: Fillon regjistrimi i kandidatëve për zgjedhje

11.05.2017 17:38:15

Nga dita e sotme e deri më 19 maj, partitë politike në Kosovë që garojnë për zgjedhjet e 11 qershorit, mund t’i paraqesin kandidatët e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Kështu ka vendosur KQZ në mbledhjen e sotme, ku u mor vendim për të filluar me përgatitjet intensive për organizimin e këtyre zgjedhjeve.

Në fillim të mbledhjes, kryetarja dhe anëtarët e KQZ-së, uruan qytetarët e Republikës së Kosovës për shpalljen e datës së zgjedhjeve dhe shprehën përkushtimin e tyre në përmbushjen e detyrimeve kushtetuese dhe ligjore.  Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u dakordua për të ftuar organizatat dhe asociacionet ndërkombëtare, pjesë e së cilave është KQZ-ja, për të vëzhguar këtë proces zgjedhor.

Në këtë mbledhje, KQZ miratoi Planin e Buxhetit për organizimin e Zgjedhjeve të Parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Buxheti i aprovuar është në vlerën: 4 milion e 944 mijë e 900 euro. Shuma e planifikuar e mjeteve ka të bëjë me prodhimin e materialit zgjedhor; transportimin e materialit sensitive dhe jo-sensitiv; trajnimin e Këshillave të Vendvotimit; pagesat për Komisionet Komunale të Zgjedhjeve; pagesat për anëtarët e Këshillave të Vendvotimeve dhe stafin tjetër ndihmës.

“Aplikimi i  subjekteve politike dhe kandidatëve do të fillojë më 11 maj dhe do të përfundojë më 19 maj 2017;  Afati i tërheqjes së shortit për renditjen në fletëvotim do të mbahet më 27 maj 2017; Afati për të caktuar kufizimin e shpenzimeve për fushatë fillon më 11 maj dhe mbaron më 15 maj 2017; kurse fushata Zgjedhore si dhe afatet për tubimet zgjedhore do të fillojnë më 31 maj dhe do të përfundojnë më 9 qershor 2017”, thuhet në vendimet e KQZ-së.

Dorëzimi i kërkesës për akreditimin e organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe vëzhgueseve, sipas KQZ-së, do të fillojë më 11 maj  dhe do të përfundojë më 4 qershor 2017. Ndërsa aplikimi për regjistrim si votues jashtë Kosovës, sipas KQZ-së, do të fillojë më 15 maj dhe do të përfundojë më 22 maj 2017.