KQZ-ja nesër mbledhje urgjente pas vendimit të PZAP-it për Naim Bazajn

22.11.2016 20:13:56

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) për decertifikimin e Naim Bazajt në zgjedhjet për kryetar të komunës së Drenasit.

Pas këtij vendimi të PZAP-it, burime te lajmi.net mësojnë se KQZ-ja nesër do të mblidhet urgjentisht.

Në vendimi e PZAP thuhej se “Aprovohet si e bazuar apeli i subjektit politik Nisma, me seli në Prishtinë, ashtu që anulohet vendimi i KQZ-së, me numër 1084-2016 i datës 20.11.2016 dhe çështja i kthehet KQZ-së, në rishqyrtim dhe rivendosje”.

“Hedhet si e palejuar pjesa e kërkesës së panelit të subjektit politik Nisma, me seli në Prishtinë, në pjesën që i referohet lënies në fuqi të vendimit të KQZ-së, numër 1024/2016 të datës 11.11.2016, për certifikimin e kandidatit Naim Bazaj, për kryetar të Komunës në Gllogoc, për zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale”, thuhej më tej në këtë vendim.

Për këtë vendim të PZAP-së KQZ-ja mund të ankohet vetëm në Gjykatën Supreme.

Me këtë vendim, ligjërisht i bie që Bazaj duhet të vazhdojë të jetë kandidat i pavarur për kryetar të Drenasit, edhe pse ai i ka rënë pishmanit dhe tash po mbështetë Ramiz Lladrovcin për të parin e komunës. /Lajmi.net/

PZAP anulon vendimin e KQZ-së, Naim Bazaj mbetet kandidat për kryetar të Drenasit (Dokument)