KQZ: Votat me kusht të numërohen në 15 komunat ku nuk ndikojnë në rezultat

23.11.2017 13:16:29

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), gjatë mbledhjes së mbajtur sot ka vendosur që QNR të vazhdojë me numërimin e votave me kusht, votave të personave me nevoja të veçanta dhe atyre me postë, në 15 komunat ku nuk ndikojnë në rezultat, duke mos përfshirë Prishtinën dhe Prizrenin.

Numërimi i votave me kusht do të bëhet në këto komuna: Gjakovë, Gjilan, Istog, Kaçanik, Klinë, Kamenicë, Mitrovicë e Jugut, Obiliq, Podujevë, Shtime, Suharekë, Ferizaj, Vushtrri, Malishevë dhe Kllokot.

Kështu ka deklaruar kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka gjatë kësaj mbledhje, transmeton Telegrafi.

Numërimi i votave me kusht, me postë dhe personave me nevoja të veçanta do të fillojë në orën 14:00.

Ndërkaq, rinumërimi i kërkuar me vendim të PZAP-it do të bëhet pas përfundimit të numërimit të këtyre votave.