Krasniqi: Gjykata Speciale është “sui generis”, duhej të kundërshtohej me kohë

15.12.2019 17:34:44

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, duke folur për ftesat e Gjykatës Speciale, thotë se kjo Gjykatë është “sui generis” për shkakun se në praktikën ndërkombëtare, siç tha ai, nuk ka ndodh që të ketë një gjykatë për ndjekje një etnike.

“Nëse diçka në botë ka ‘sui Generis’ kjo gjykatë është e tillë. Po e them këtë duke pas parasysh praktikën ndërkombëtare të krijimit të gjykatave të ngjashme. Një gjykatë e tillë është bërë në Romë, por një gjykatë e tillë për ndjekje një etnike nuk e di që ka ekzistuar ndonjëherë në praktikën e drejtësisë ndërkombëtare”, tha Krasniqi për Ekonomia Online.

Ndërkaq, kur pyetet se nëse kësaj gjykatë do të duhej t’i ndërpritet mandati, Krasniqi thotë se ajo është dashur të kundërshtohet me kohë derisa krijimin e kësaj gjykate e lidh me një varg të një kënge popullore.

“E kemi një varg të një kënge popullore që e thotë: ‘Kujtoju punës pa u bë se kur të bëhet mos bë zë’. Gjykata është dashur të kundërshtohet me kohë. Unë kam qenë njëri nga ata që e kam kundërshtuar në të gjitha takimet që i kam pasur me ndërkombëtarët kur është biseduar për këtë çështje, megjithatë Kuvendi i Kosovës e ka formuar një Gjykatë të tillë dhe tash duhet t’i presim rezultatet e saj edhe pse vonesat që po bëhen nga kjo gjykatë për mua është dëshmia më e mirë se ata nuk kanë dëshmi për të ngritur aktakuza dhe gjitha këto ftesa i bëjnë në shërbim të asaj që të përpiqen që dikujt t’ia ngrisin një aktakuzë”, tha Krasniqi.

Ai tha se komuniteti ndërkombëtarë e ka pasë një Tribunal, Tribunalin e Hagës për t’i ndjekur krimet që janë kryer në hapësirat e Ish-Jugosllavisë dhe përderisa komuniteti ndërkombëtar është i bindur se dikush ka kryer krime të luftës atëherë është dashur ta ruaj Tribunalin e Hagës dhe atje të përgjigjen kriminelët e luftës.