Krasniqi kritikon fjalorin e politikës

03.09.2016 11:55:02

Kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi në një shkrim ka kritikuar fjalorin gjuhësor që përdorin për njëri-tjetrin politikanët e Kosovës. Ai thekson se kjo gjuhë të le përshtypjen se po flasin përfaqësues të dy kombeve që janë armiq me dekada me radhë.

“Në shikim të parë, kur njeriu dëgjon debatet në mes të pozitës dhe të opozitës shqiptare, e krijon përshtypjen se është duke dëgjuar përfaqësues të dy kombeve, të armiqësuar ndër dekada dhe që nuk synojnë ta gjejnë as edhe një fije interesi që i bashkon! Vërtet, një armiqësim i tillë, jo vetëm që nuk i duhet kombit brenda tij, një kombi që synon progresin, zhvillimin, mirëqenien kombëtare e shtetndërtimin për sigurinë kombëtare, por kjo gjuhë është shumë e dëmshme edhe po qe se përdoret edhe në mes kombeve fqinje, që edhe mund të kenë pasur mes tyre shekuj armiqësie.” shkruan Krasniqi

Shkrimi i plotë i Jakup Krasniqit:

Ka kohë që përpiqem të vështroj gjuhën e komunikimit, në mënyrë të veçantë, gjuhën parlamentare të zgjedhurve të popullit, të atyre që e përfaqësojnë pozitën si dhe të atyre që përfaqësojnë opozitën. Në shikim të parë, kur njeriu dëgjon debatet në mes të pozitës dhe të opozitës shqiptare, e krijon përshtypjen se është duke dëgjuar përfaqësues të dy kombeve, të armiqësuar ndër dekada dhe që nuk synojnë ta gjejnë as edhe një fije interesi që i bashkon! Vërtet, një armiqësim i tillë, jo vetëm që nuk i duhet kombit brenda tij, një kombi që synon progresin, zhvillimin, mirëqenien kombëtare e shtetndërtimin për sigurinë kombëtare, por kjo gjuhë është shumë e dëmshme edhe po qe se përdoret edhe në mes kombeve fqinje, që edhe mund të kenë pasur mes tyre shekuj armiqësie. Gjuha, në rend të parë është mjet komunikimi e mirëkuptimi në mes të njerëzve që flasin të njëjtën gjuhë, por që gjithherë, në të gjitha kohërat historike ka qenë nevoja, që nga krijimi i gjuhëve që njerëzit (përfaqësuesit e popujve të ndryshëm), të gjejnë gjuhën e përbashkët të komunikimit, të marrëveshjeve e të mirëbesimit. Deri sot, cilitdo popull a komb që i është dashur progresi shoqëror e ekonomik, asnjëherë nuk iu ka mjaftuar vetvetja e më se paku në kohën e globalizmit.

Qëllimi i këtij shkrimi nuk është që të merrem me historinë e komunikimit në mes kombeve të ndryshme të botës, por të shkruaj për kulturën e komunikimit të folësve të gjuhës shqipe në institucionet e shteteve shqiptare, përfshirë dhe institucionin më të lartë përfaqësues, siç janë Kuvendi i Shqipërisë dhe ai i Kosovës, si dhe komunikimi jashtë parlamenteve tona, në mes të përfaqësuesve të pozitës e të opozitës, kudo ku ajo shfaqet. Kjo formë e komunikimit që e dëgjojmë dhe e shohim përditë në medie të ndryshme të shkruara (shtypura) e elektronike, ekrane televizive, etj. nuk prodhon as kulturë e as progres, prodhon armiqësi e shkatërrim, prapambetje e mjerim!

Si shkas për t’u marrë me ketë çështje, është deklarata e një përfaqësueseje të pozitës për një parti opozitare. Deputetja i thoshte një partie opozitare se ishin “fundërrina”! Term tepër i përgjithësuar! Nëse një parti opozitare mund të cilësohej si “fundërrinë”, cili ishte dallimi i partisë së saj nga “fundërrinat” e një gjuhe e të një gjaku, të një kulture e të një vendi? Shikuar realisht, kjo nuk është ndonjë risi në komunikimin tonë të përditshëm, madje jo vetëm në mes pozitës e opozitës! Pa asnjë dyshim, kjo nuk është as gjuha më e ashpër që kemi dëgjuar e dëgjojmë, por është e ashpër në kontekstin që është thënë. Kjo gjuhë komunikimi, që dëgjohet shpesh në kuvendet shqiptare, behet e papranueshme dhe e padurueshme për faktin se nuk i ndihmon daljes së duhur nga gjendja që po rrezikojmë të futemi. Populli e ka një urti, e cila thotë: “Sipas vendit kuvendi”. Tek ne, jo vetëm tani, por sidomos tani, nuk është as koha, as vendi e as kuvendi, për komunikime që nuk i ndihmojnë zgjidhjes që e kërkon interesi i kombit dhe i vendeve tona, vende që kanë shumë probleme serioze me ligjin, progresin e zhvillimin.

 

Me këtë që thashë, nuk kam ndërmend që t’i mbys idetë e kundërta e as dialektikën e të kundërtave, se pa ide të kundërta e kundërshti, bota nuk do të ishte zhvilluar në këtë nivel, por edhe idetë e kundërta me kundërshtitë e tjera dialektike, mund të thuhen dhe duhet të thuhen me kulturë, edukatë e fjalë të zgjedhura, që thonë shumë e nuk shkaktojnë lëndime tek ata që u adresohen e as tek ata që i dëgjojnë. Secila gjuhë në fjalorin e saj ka fjalët e ashpra, por i ka edhe fjalët që e zëvendësojnë edhe ashpërsinë dhe e intelektualizojnë gjuhën e përdoruesit. Gjuha e ashpër, që thuhet në rrugë në gjendje afekti, prodhon grushte e ne përditë po dëgjojmë se po shkrepen dhe plumba, po humbasin jetë të shtrenjta të të rinjve tanë. Secili nga ne, që i dëgjon lajmet e përditshme, dëgjon jo pak lajme nga kronikat e zeza dhe ato kronika e kanë një bazë, gjuhën jonormale të komunikimit ose shprehjet e pakontrolluara të thëna në afekt. Prandaj, është më se e domosdoshme që politika e jonë të ndahet njëherë e mirë nga gjuha e rrugës. Zakonisht gjuha e rrugës hynë në institucione kur njerëzit humbasin arsyen, apo iu mungojnë argumentet. Forca kurrë nuk ka qenë dhe nuk mund të jetë argument. Në politikë, aty ku do të ishin të urtit e popullit, argumenti është forcë!

Duke përfunduar, dua të them se gjuha e “të urtëve” të kombit, e përdorur në Tempujt e Demokracisë që 25 vjet në Shqipëri e Maqedoni dhe 15 vjet në Kosovë, nuk arritën t’i konsolidojnë shtetet, sistemet e drejtësisë e të sigurisë, zhvillimin ekonomik e perspektivën për punë e jetë të dinjitetshme, arsimin në përgjithësi dhe arsimin e lartë në veçanti si dhe shëndetësinë publike, ambientin dhe planifikimin hapësinor, mediet profesionale dhe komunikimin publik. Përkundrazi, degjeneruan gjithçka: gjuhën shqipe e komunikimin masiv, kulturën e traditat e bukura kombëtare, mirësjelljen e mirëkuptimin ndërnjerëzor. Mikpritjen dhe besën shqiptare i kthyen në armiqësi e pabesi, çdo interes kombëtar e kthyen në babëzi personale! Përderisa kombit shqiptar perspektivë të vetme ia lanë ikjen nga Atdheu! E çka t’iu themi të gjitha këtyre gjërave të bëra kaq mbrapsht?

Kjo gjeneratë politikanësh që kombin e solli në ketë gjendje të pa perspektivë e me shpresa të thyera, nuk mundet dot ta kalojë vetveten! Duhet një gjeneratë e re politikanësh, që idealet e përmbysura të kombit t’i kthejë për së mbari! Ky ndryshim mund të bëhet vetëm përmes një mobilizimi të jashtëzakonshëm të potencialit të madh intelektual dhe profesional që ka Kosova e që fatkeqësisht kanë mbetur të margjinalizuar nga bartësit mediokër të institucioneve shtetërore dhe partiake.

Kam shpresa të mëdha se demokracia do të ngadhënjej mbi të gjitha format e diktatit dhe nënshtrimit. Rruga e lirisë së plotë nuk ndalet!