Krenaria për të kaluarën, a guxon të na bëhet “Terapi okupuese”?!

05.03.2019 10:56:08

Nga Enver Zhinipotoku

Shqiptarët si një ndër popujt më të vjetër të Ballkanit ishin në udhëkryq civilizimesh, në një vend ku secila kulturë ka lënë gjurmët e saj dhe secili pushtues dhëmbët e barbarive të veta.
Ishim në këtë udhëkryq civilizimesh sikur “cungu në derë të kovaçit” siç i thonë fjalës  me radhë .Pushtuesit na bënë ” synet në kokë”, ku secili na e futi pipthin e vet, e pastaj gjithnjë bënim dhe jepnim fryte, sipas llojit të shartimit.Kështu ndodhi prej antikitetit e këndej, nga romakët, bizanti, osmanët, sllavët në shekullin XX dhe ky fatum yni po na bartet edhe sot e kësaj dite.
“Ballkani, siç ka thënë me të drejtë Churchill (kjo vlenë edhe për shqiptarët), prodhon më tepër histori, të cilën pastaj nuk mund ta konsumoj!” Është e vërtetë se pushtues pas pushtuesi në këto troje, ballkanasit nuk i kanë lënë t’i qelin sytë.Sidomos pas pushtimit osman, ku ne si etni, për shkak të.pushtimit të gjatë pesëshekullor dhe frikës nga sllavizimi, që të mos asimilohemi në sllavë, përqafuam besimin islam në masën 70% të popullatës shqiptare. Kjo pati reperkusione tragjike, jo
vetëm në jetëra njerëzish, por edhe në ndërrimin e gjithë superstrukturës kulturore të një populli, duke iu përshtatur pushtuesit, duke marrë nga ai shumëçka.Populli shqiptar, tani edhe me fe, (që në shekujt XIV-XX) ishte vendimtare edhe për identitetin e etnisë, duke u shkëputur nga trungu i Evropës, të cilës i takonte dhe duke marrë një zhvillim jonormal, të kthyer me fytyrë kah orienti, e jo kah oksidenti siç ishte, për çka rilindësit tonë të mëdhenj do të thonin se ” për shqiptarët dielli lind nga perëndon!”
Duke u ndodhur si kudhra, mbi të cilën rrihnin si çekan, rrymat e të gjitha civilizimeve, popujt e Ballkanit si të vegjël që ishin, shpesh nga të tjerët u yshtën kundër njëri-tjetrit dhe shpeshherë, në vend që të varrosnin faje dhe urrejtje të vjetra, hapnin plagë e varre të reja, sikur këto në fund të shekullit të kaluar gjatë shkatërrimit të ish RSFJ-së, që ka mundur të shmanget me një lidership më të vetëdijshëm, po të mos qëllonte atëherë në krye të shovenizmit serb Sllobodan Millosheviqi, të cilën e ngriti në skenë viktimizimi i serbëve në Kosovë dhe Jugosllavia si krijesë çfarë ishte, mund të ndahej e shkatërrohej pa u derdhur asnjë pikë gjak.
A kanë mësuar diçka popujt e Ballkanit me atë që ndodhi në ish Jugosllavi, a janë rrasur “dizgjin” në mes veti popujt që e përbënin ish RSFJ-në?! Këtë do ta tregojë e ardhmja!
Filozofi, që llogaritet më i madhi në mesin e të mëdhenjve, Hegeli, të cilin Popper e quante “historicist të tepruar”, kishte shkruar:”Nga historia duhet të mësojmë atë që nuk duhet ta pësojmë”.
Ne si popull, jo vetëm që nuk po mësojmë prej gabimeve të huaja, por as prej vuajtjeve dhe dështimeve tona.
Organizimi shoqëror e shtetëror, është virtyti kryesor i çdo shoqërie njerëzore, që ne shqiptarëve po na mungon ndër shekuj dhe prandaj për shkak të kësaj manie, dështimet i kemi të pritshme.Ndryshe nuk do të ndodhte që, Shqipëria as pas një shekulli e tepër pavarësi, të mos mund të organizoj shtetin, kurse ne në Kosovë, as pas 20 vitesh, të mos dijmë dhe mundemi t’i vendosim konturat e shtetit!!!
Zakonisht për dështimet tona gjatë historisë, jemi mësuar t’i fajësojmë të tjerët. Të kaluarën, gjithnjë e kemi kositur, e jo herrur dhe shpesh jemi mburrur me atë që është dashur të turpërohemi ( me sasinë e gjakut të derdhur pa mundur të fitojmë lirinë!)
Duke mos mundur t’i lidhim episodet e historisë dhe përmes parabolash t’i ofrojmë ato, nuk kemi qenë në gjendje që, të kaluarën ta shfrytëzojmë si shkallë për tu ngjitur në të tashmën e të ardhmën.
Krenarinë ( nëse robi e ka atë dhe ka me çka krenohet), nga e kaluara e kemi përdorur si ” terapi okupuese”, për tu “kënaqur” me dështimet tona.Dhe, kështu, duke mos ditur t’i lidhim epokat, ose kemi mbetur robër të së kaluarës, ose jemi shndërruar në aventurierë të së ardhmës, të cilën e kemi ëndërruar si parajsë (ose na e kanë zbukuruar të tjerët), e kemi përfunduar në ferr ( shpresat për komunizmin pas LDB në Shqipëri e Kosovë, ose zhgënjimet që po i shohim çdo ditë në Kosovë pas të pritmëve zhuritëse duke dalur nga kthetrat e okupimit serb).
Jemi mburrur e po mburremi me të kaluarën e largët e të afërt, me prejardhjen ilire, me Skënderbeun, nga mesjeta, me Nënën Tereze si nobeliste dhe nënë e botës nga ajo që i kemi dhënë krishtërimit, me Dr. Rugovën si ai që e sensibilizoi opinionin botëror me synimet e fashizmit serb dhe në fund me Adem Jasharin, e sakrificën e tij, janë mburrur të gjithë shqiptarët, e më së shumti “çlirimtarët”, por kjo terapi okupuese nuk na mbanë si anestezion: as ata që mburren me origjinën ilire, sepse shekuj me radhë si nipër ilirësh, ishim shërbëtorë sllavësh; as nuk na mbanë Moti i Madh i Gjergjit dhe shpata e tij, sepse të fundut u liruam nga sundimi turk, megjithëse luftuam më së shumti; nuk na mbanë as lavdia e Shën Terezës, nëse nuk jemi të devotshëm siç na mësoi ajo; as demokratët dhe rugovistët nuk i mbanë fryma e “Gandit të Ballkanit” nga ata që thirren në emër të tij, e punojnë kundër njëri- tjetrit; as lavdia e Adem Jasharit nuk është e denjë për ata që thirren në emër të tij, e byrytën e abuzojnë me lirinë e Kosovës! Të gjitha këto janë krenari të rrejshme, në emër të të cilave manipulojmë ditën e natën për interesa tona meskine, si të na vie më mbarë.
Edhepse e kemi gojën plotë mburrje, megjithatë na mungon organizimi e angazhimi për ta pushtuar të ardhmën, për të cilën kemi nevojë, ndryshe nuk do të kishim mospajtime edhe për çështjet jetike për fatin tonë, sikur p.sh. këto ditë në Kosovë, që, ata që paguhen për ta shpënë këtë vend përpara (Presidenti e Kryeministri), jo që nuk janë bashkë, por në aso pozicionesh kontradiktore që kënaqen kur i shohin vetëm armiqtë e këtij vendi, e ata dihet cilët janë, nëse na vet duke u sjellur kështu siç po sillemi, nuk jemi të tillë, për të cilët Konica shkruante një shekull më parë.