Kreu i Bashkisë së Kukësit i prerë: S’ka takim me Ramën nëse nuk liron kuksianët

01.04.2018 14:09:48

Kreu i Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu ka deklaruar se nuk do të takojë kryeministrin Edi Rama, nëse ai nuk do lirojë të arrestuarit.

Përmes një reagim për mediat, Shehu u shpreh se është kundër dhunës, ndërsa i ka bërë thirrje qeverisë që të ulet me qytetarët e Kukësit për të negociuar.

Qytetari i parë i Kukësit theksoi se nuk mund të ketë zgjidhje me arrestime, ndërsa ka refuzuar takimin që ishte parashikuar për ditën e hënë me kryeministrin Edi Rama, nëse ky i fundit nuk do të lirojë të arrestuarit.

“Unë jam i zgjedhur i këtij popullit, nuk mund të shkoj e takoj Edi Ramën. Unë i bëj shkresë kryeministrit, ministrave, u bëj thirrje që të ulen dhe të negociojnë. Duhet transparencë dhe janë vetë qytetarët që janë vet duke pyetur. 

Brenda ka protestues, njerëz të ndershëm, socialistë të ndershëm, dhe kjo çështje nuk bëhen me arrestime. Ndaj hetimi duhet të jetë transparent dhe qytetarët të lirohen.”, -tha ai.

Prej mesnate policia ka nisur aksione për arrestimin e personave që morën pjesë në protestën e ditës së djeshme, në rrugën e Kombit, ku ata dogjën kabinën ku ishin të montuar makineritë për bërjen e pagesës.

Qytetarët jo vetëm nga Kukësi por edhe nga Kosova, kanë kundërshtuar tarifën e vendosur prej qeverisë për të kaluar në rrugën e Kombit, pasi sipas tyre ajo është shumë e lartë.

Çdokush kalon në rrugën e Kombit, është I detyruar të paguajë nga 5 euro deri në 44 euro.