Kristian Panuçi nuk toleron asnjë, pezullon Strakoshën nga kombëtarja

18.03.2019 11:04:40

Në prag të dy ndeshjeve eliminatore për Euro 2020 të kombëtares, trajneri Kristian Panuçi përdor linjën e ashpër ndaj futbollistëve që thyejnë rregullat në ekip.

Burime mediatike raportojnë se Thomas Strakosha është pezulluar dhe nuk do të jetë pjesë e kombëtares për ndeshjet e këtij muaji, kundër Turqisë e Andorrës!

Portieri kuqezi luajti këtë të diel me Lazion, kundër Parmës, me sfidën që përfundoi rreth orës 17.00, ndërsa më pas duhej të nisej direkt për në Tiranë.

Një vonesë bëri që Strakosha të mos e kapë dot avionin dhe për pasojë ka telefonuar trajnerin Panuçi, por ky i fundit i ka thënë të mos vijë fare në Shqipëri, nëse nuk paraqitet sipas planit.

Një ngjarje e rëndë, që nuk ndodh në kombëtare të tjera, por trajneri italian e justifikon me dëshirën për të vendosur disiplinë të hekurt në kombëtare.

Në vend të Strakoshës është grumbulluar Gentian Selmani, portieri i Laçit i cili edhe më parë ka qenë pjesë e kombëtares.

Para disa muajsh, ai që e pësoi për një vonesë të tillë ishte sulmuesit kavajas, Sokol Cikalleshi, duke i kushtuar madje edhe një mosgrumbullim të gjatë në kombëtare për shkak edhe të paraqitjeve me ekipin ku luan.