Kriza në Maqedoni, Ivanov: Fajtorë janë Rama, Brukseli dhe Uashingtoni

16.04.2017 09:51:28

 

VMRO DPMNE-ja dhe BDI-ja kishin arritur marrëveshje për formimin e Qeverisë dhe se për këtë s’ka qenë pengesë platforma e partive shqiptare apo siç e quan partia e Gruevskit, platforma e Tiranës. Gjithçka ishte prishur nga një telefonatë. Këtë e konfirmon presidenti Gjorge Ivanov në një intervistë për të përditshmen austriake “Viner Cajtung”

“VMRO DPMNE në afat prej 20 ditëve nuk arriti të bëjë koalicion me partitë e shqiptarëve, siç parashikon Kushtetuta. Të jem më i saktë, në fakt ishin marrë vesh për koalicion. Por, në orën e fundit kishte një telefonatë pas së cilës koalicioni dështoi”, tha presidenti i vendit Gjorge Ivanov për “Viner Cajtung”.

Ivanov megjithatë insiston se Platforma e Tiranës me një goditje shkatërroi Marrëveshjen e Përzhinës dhe thelloi krizën në vend. Për Ivanovin fajtorë janë Edi Rama, Brukseli dhe Uashingtoni.

“BE-ja dhe Amerika u kyçën për të ndihmuar në gjetjen e zgjidhjes për dalje nga kriza, mirëpo ata nuk i dënuan shkaktarët e kësaj krize e që janë Edi Rama me politikanët shqiptarë. Sot jemi në krizë institucionale e shkaktuar prej Platformës së Tiranës, diçka që nuk ka lidhje me Marrëveshjen e Përzhinos”, theksoi Ivanov.