Kriza politike/ Basha nuk kursehet në Shkodër, zbulon planin e opozitës

28.02.2019 16:39:38

Kreu i PD, Lulzim Basha ishte i qartë kur foli nga Shkodra në drejtim të Brukselit dhe kryeministrit Edi Rama, duke kërkuar edhe njëherë qeveri tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme.

Duke komentuar deklaratat e delegacionit të PE, ai tha se vendi po qeveriset nga Avdylajt dhe Barajt, ndaj është “detyra jonë është që me durim të shpalosim këto fakte”.

“Kështu nuk shkohet në BE, por me zgjedhje të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Lideri i opozitës zbuloi edhe planin e opozitës për të arritur qëllimin kryesor, që është rrëzimi i kryeministrit Edi Rama.

“Hapat e mëtejshme janë me qytetarët dhe për qytetarët. Ne ju bindëm urdhrit të sovranit. Do të gërshetojmë protestat dhe mosbindjen civile, dhe të gjitha aktet e tjera të revoltës dhe zemërimit qytetar kundër bandës që ka kap shtetin”, u shpreh kryedemokrati.

Në vijim Basha kërkoi nga qytetarët që t’i pyesin miqtë që vijnë në Shqipëri si eurodeputetë për një gjë.

“Unë dua që gjithë secili prej jush që është akoma në dilemë midis realitetit të mjerë tuajin, fqinjëve tuaj, të familjarëve tuaj dhe deklaratave në lidhje me realitetin, ti bëni të njëjtën pyetje çdo miku që i do të mirën Shqipërisë. A do të pranonit për vendin tuaj këtë që i kërkoni shqiptarëve të  pranojnë për veten e tyre një kryeministër që vjen me krimin, qeverisë për krimin”, tha ai.