Kriza politike, Rama takon Metën dhe Idrizin. Basha mbledh urgjent aleatët

05.04.2017 21:38:45

Pas kreut të LSI-së, ILir Meta, kryeministri Edi Rama ka takuar gjatë sot pasdite edhe aleatin tjetër më të vogël në qeveri, Shpëtim Idrizin, i cili gjithashtu është rreshtuar në krah të Metës sa i përket deklaratës: “Nuk marrim pjesë në zgjedhje pa opozitën”.

Takimi mes Ramës dhe Idrizit, i cili zgjati rreth një orë vjen një ditë pasi ky i fundit propozoi një platformë me 7 pika për zgjidhjen e krizës politike.

Nuk ka detaje konkrete nga biseda mes tyre. Më herët Shpëtim Idrizi është takuar edhe me Ilir Metën. Ky i fundit deklaroi se LSI është e gatshme të dorëzojë mandatet e saj nëse opozita e sheh të nevojshme krijimin e një qeverie besimi.

Pak më vonë, kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka thirrur në një mbledhje urgjente aleatët e PD-së në lidhje me krizën politike në vend. Takimi i Bashës me aleatët opozitarë po zhvillohet në selinë blu.

Koalicioni opozitar deklaroi dje se krijimi i qeverisë teknike është zgjidhja e vetme për organizimin e zgjedhjeve të ndershme.

Mësohet se në takim është diskutuar për kryeministrin e qeverisë teknike. Sipas PD, kryeministri i qeverisë teknike nuk duhet të jetë një figurë politike.

Koalicioni opozitar deklaroi një ditë më parë se krijimi i qeverisë teknike është zgjidhja e vetme për organizimin e zgjedhjeve të ndershme.

Edhe kreu i LSI-së Ilir Meta ka folur për një qeveri besimi dhe tha se LSI është e gatshme të dorëzojë mandatet e saj politike. Nga ana tjetër ky takim i tij vjen pas kërkesë së kryeministrit për dialog.

Platforma e Shpëtim Idrizit:

1-Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi, përparimit të vendit në integrimin evropian dhe realizimin e disa ndryshimeve në kuadër të legjislacionit zgjedhor dhe masave të tjera, për të siguruar atomsferë të qetë dhe të besueshme, për zgjedhjet e 18 qershorit.

2-Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.

3-Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore, për krijimin e mundësive reale për të garuar forcat politike jashtë koalicioneve.

4-Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare

5-Krijimin e një grupi të posaçëm me urdhër administrativ të Prokurorit të Përgjithshëm, krijimin e një “task force” prokurorësh të atashuar pranë KQZ-së, e cila ka për detyrë të hetojë në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote, kërcënim, intimidim, etj. Gjithashtu edhe dërgimin e çështjeve të lidhura me cënimin e procesit zgjedhor brenda 24 orësh në gjykatë, duke ashpërsuar masat për “krimin elektoral”.

6-Ngarkimin e një strukture inxhinierike konsensuale që do të përgatisë në mënyrë urgjente një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik, apo edhe vlersimin e mundësive të realizimit të votimit elektronik, nëse ai konsiderohet i sigurtë dhe i mundshëm në kohë, në një procedurë të miratuar në mënyrë konsensuale nga të gjitha partitë parlamentare.

7-Thirrjen e tryezës së partive politike parlamentare për fillimin e dialogut, me qëllim miratimin e një kandidature konsensuale si President të Republikës së Shqipërisë.