Kroacia, e gatshme të ndihmojë Kosovën ekonomikisht

19.12.2016 17:21:10

Ministri i Financave Avdullah Hoti ka pritur në takim kurtuazie ambasadoren e Kroacisë në Prishtinë Marija Kapitanoviq, me të cilën diskutuan për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve.

Me këtë rast Hoti duke shprehur gatishmërinë e tij si ministër i Financave për vazhdimin dhe thellimin e mëtutjeshëm të bashkëpunimit ndër institucional, e vlerësoi lartë ndihmën e shtetit të Kroacisë për Kosovën, me theks të veçantë ofrimin e përvojës së shtetit Kroat për Kosovën në fushën e ekonomisë dhe financave në proceset integruese të saj në Bashkimin Evropian.

Në këtë takim, ministri Hoti gjithashtu e njoftoi ambasadoren Kapitanoviq për masat që ka marr deri më tani Qeveria e Kosovës për ndryshimin e ligjeve të cilat mundësojnë dhe ndikojnë në krijimin e kushteve më të mira për të bërë biznes, tërheqjen e investimeve të huaja në Kosovë si dhe për politikat e reja fiskale që pritet të ndryshohen gjatë vitit 2017.

Ndërsa, ambasadorja kroate Marija Kapitanoviq, e falënderoi ministrin për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e saj dhe të shtetit kroat për mbështetjen edhe në të ardhmen të institucioneve të Kosovës në rritjen e bashkëpunimit, sidomos në aspektin tregtar.