Kronologjia e sulmit me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës

17.11.2017 15:52:56

Ishte nata e 5 gushtit të vitin 2016 kur objekti i Kuvendit të Kosovës ishte sulmuar me zollë.

Sulmi kishte ardhur pak ditë para se në Kuvend të diskutohej për Demarkacionin me Malin e Zi.

Policia e Kosovës kishte deklaruar se menjëherë kishte filluar me hetimet për të zbardhur rastin e sulmit.

Së pari në adresën e mediave kishte arritur një letër nga Rugovasit, të cilët e kishin marrë përgjegjësinë për sulmin, por më pas hetimet ndërruan kahje.

Më 30 gusht të vitit 2016, policia e Kosovës kishte bërë të ditur se në lidhje me këtë rast janë arrestuar gjashtë aktivistë të Vetëvendosjes.

Në mesin e tyre edhe Astrit Dehari, i cili gjatë qëndrimit në paraburgim kishte ndërruar jetë.

Menjëherë pas arrestimit policia kishte mbajtur një konferencë për media, ku ishte thënë se kishin prova të mjaftueshme që e vërtetonin, se aktivistët e VV-së janë të dyshuar për sulmin ndaj Kuvendit.

 

Prokurori nga Prokuroria Speciale, Abdurrahim Islami kishte thënë se hetimet e policisë nga përgjimet e kishin vërtetuar një gjë të tillë.

“Përmes përgjimeve i kemi vërtetuar dyshimet të cilat janë mbledhur më herët nga ana e Policisë dhe prokuroria ka ardhur në përfundim dhe ka urdhëruar edhe bastisje ku janë gjetur edhe armë dhe kemi ardh deri te dyshimi i arsyeshëm se këta 6 të dyshuar për të cilët këta të dyshuar kanë kryer vepër penale”, kishte thënë Islami.

Kurse, Luan Keka nga drejtoria e antiterrorit në Policinë e Kosovës kishte prezantuar disa fotografi të një motoçiklete që sipas tij ishte kryer nga personat që kanë sulmuar Kuvendin.

Njëra nga pretendimet ishte gjithashtu se emaili i dërguar nga rugovasit, ishte krijuar pesë ditë para sulmit, por që u përdor vetëm me datën 5 gusht.

Dyshohej se ky email ishte shkruar nga një smart phone të cilin e kishte blerë Adea Batusha në sheshin kryesor të Prishtinës. Gjë të cilën policisë ia kishte konfirmuar edhe shitësi ambulant.

Image result for sulmi ndaj kuvendit te kosoves 2017