Kryemadhi: Opozita, me kandidat të bashkuar në zgjedhjet lokale

30.08.2018 23:09:48

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, ka dënuar me forcë sulmin me armë zjarri në banesën e familjes së gazetares Klodiana Lala.

Në takimin e parë me koordinatorët e LSI-së, Kryemadhi shprehu solidaritetin e saj për gazetaren në luftën kundër krimit dhe bandave në vend.

“Shprehim jo vetëm solidaritet por edhe mbështetjen e plotë ndaj gazetares Klodiana Lala dhe familjes së saj e cila nuk është hera e parë që kërcënohet dhe shantazhohet për shkak të detyrës. Por ajo sot ka qenë përballë një dhunë kriminale ndaj saj dhe familjes së saj. Akti kriminal ndaj saj tregon se sot në Shqipëri bandat dhe krimi janë ulur këmbëkryq dhe kurajë e tyre ka kaluar çdo kufi njerëzor”.

Kryemadhi ka kërkuar koordinim të strukturave të LSI-së, “për të nisur barrikadat dhe protestat në luftën ndaj qeverisë. Do të kemi një përballje të pamëshirshme ndaj kriminelëve që bëjnë pazar me të ardhmen e të rinjve tanë”.

Kryemadhi ka njoftuar strukturat e LSI-së në Tiranë, se opozita do te dale me një kandidat të përbashkët në zgjedhjet lokale.

“Opozita e bashkuar do të dalë bashkë në zgjedhje e as që po punon për të gjetur kandidatin fitues, por e rendësishme platforma jonë e përbashkët për uljen e taksave, varfërisë dhe ofrimin e një shërbimi me cilësi më të lartë. Çdo kërcënim që do vijë nga drejtorët e drejtoreshat e shkollës, për të rinjtë tanë, apo presioni për nota e për vijimin e shkollës, të jenë të bindur se s’do ketë më sjellje të toleruar”. Kryetarja e LSI-së, shtoi se ky nuk është shans politik për LSI-në, por shans politik për gjithë shqiptarët.