Kryemadhi pret artistët: Kundër shembjes së TK! S’më tremb procedimi penal

09.04.2018 15:40:56

Pas ndalesës në selinë blu pak ditë më parë, artisët që protestojnë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, janë pritur sot në një takim nga kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi.

Ajo i ka shprehur mbështetjen maksimale për kauzën e tyre duke theksuar se është arti, që na ka nxjerrë faqebardhë në Europë, ndaj duhet të ndalim shkatërrimin e tij nga duart e Edi Ramës.

“Mua më kanë në rresht të parë. Kur të vijnë ruspat për të prishur Teatrin Kombëtar, që e ngriti Italia fashiste, por po tenton ta prishë ky regjimi ynë fashist”, u shpreh Kryemadhi.

Kryetarja e LSI bëri thirrje për ndërgjegjësimin e rinisë që të ruajmë këtë vepër, të cilën na e kanë trashëguar.

“Ndihemi të revoltuar, pasi përveçse politikane, jemi spektatorë, teleshikues dhe qytetarë ,ndaj duhet të mbrojmë vendin ku do ta shijojmë teatrin. Jemi jo vetëm për mos shembjen e tetarit, por për një ligj më të mirë për  artistët dhe më shumë investime në art”, deklaroi ajo.

Në këtë takim, kryetarja e LSI-së komentoi edhe procedimet e nisura nga Policia dhe Prokuroria për bllokimin e rrugëve gjatë protestës së të enjtes së shkuar.

“Mua nuk më shqetëson fare procedimi penal, kur të bëjmë dekriminalizmin do ta deklarojmë se jemi proceduar nga prokuroria e Ramës. Mua më gjykojnë vetëm shqiptarët dhe me gjykojnë me votë. Ashtu si kam hyrë 17-vjeç në politike, ashtu do të dal, me votën e shqiptarëve. Nuk kërcënon dot as Rama, as Arta Marku, as Xhafaj”,deklaroi Kryemadhi, duke shtuar se është e vendosur për të vazhduar protestën.