Shqipëri: Monika Kryemadh, sqaron pse LSI nuk mori pjesë në votimin për Ruçin

10.09.2017 10:46:29

Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Monika Kryemadhi, sqaroi mos pjesëmarrjen e deputetëve të partisë së drejtuar prej saj në votimin për kryetarin e ri të Parlamentit.

Ajo tha se LSI nuk donte të bëhej pjesë e kësaj farse, duke patur parasysh që ky proces nuk meriton as votën kundër të partisë që ajo drejton, duke u argumentuar se  është një parlament që është deformuar në raportet e veta, në karriket e tij në sallën e Kuvendit nëpërmjet parave të krimit dhe të drogës, të cilët kanë deformuar vullnetin e shqiptarëve.

“Kjo është dhe një nga arsyet për të cilën ne nuk morëm pjesë në votim, për të hequr çdo lloj iluzioni dhe çdo lloj gjëje, për të pasur një rezultat të vërtet atë çka ndodh në parlament, dhe për të kuptuar që ajo çka ndodh sot në parlamentin shqiptar do të ndodhi dhe në të ardhmen. Ne sot sapo u prezantuam edhe me një erashkë, me erashkën e radhës së kryeministrit që na ka paraqitur programin.

Ky është programi i qeverisë shqiptare, i cili është thjesht si një fletëpalosje, ky është edhe vlerësimi që kryeministri i bën jo vetëm Parlamentit, por edhe gjithë shqiptarëve. Ndjej keqardhje për mënyrën dhe për trajtimin që qeveria e ardhshme do ti bëjë jo vetëm parlamentit, jo vetëm deputetëve, por edhe mënyrën se si do trajtojë procesin e integrimit, zhvillimin ekonomik shoqëror dhe kulturor të këtij vendi, dhe aq më shumë sensibilitetet dhe ndjeshmërinë e shqiptarëve, që çdo ditë e më shumë do ta ndjejnë që po u shtrëngohet litari në fyt”, tha ajo.

Frikës për rrjedhje votash nga ana e LSI-së, Kryemadhi tha se nuk e mendon një gjë të tillë. “Absolutisht nuk kishte asnjë lloj frike rrjedhje votash, sepse deputetët ishin aty, kush të donte mund të shkonte të votonte në mënyrë të hapur, por ajo tregonte një vendim të grupit që sot u mor si vendim. Dy ditë më përpara ne kemi deklaruar se nuk do të marrim pjesë në votim. Çdo deputet ka qenë i lirë nëse do të donte për të marrë pjesë, ashtu sikurse ne nuk i kemi ndaluar asnjëherë deputetët as për tu takuar, as për tu përqafuar dhe as për të pirë kafe, qoftë me socialistë qoftë apo me demokratë”, përfundoi shefja e LSI-së.