Kryeministresha May humb votën në Parlament për Marrëveshjen e saj për BREXIT-in

15.01.2019 23:14:16

432 deputetë të Parlamentit britanik votuan sonte kundër, ndërsa vetëm 202 për Marrëveshjen për Tërheqje (Withdrawal Agreement) të këtij vendi nga BE-ja që ka arritur Kryeministresha May me BE-në. Kjo është humbja më e madhe e ndonjë qeverie britanike në Parlament për gati një shekull.
Kryetari i opozitës zyrtare, lideri i Partisë Laburiste Jeremey Corbyn mbas kësaj vote paralajmëroi një mocion mosbesimi ndaj Qeverisë konservatore të udhëhequr nga Kryeministresha May.
Paradoksalisht, Theresa May ka qenë në kampin e atyre që kanë favorizuar qëndrimin e Britanisë në BE, mu si shefi i saj, kryeministri i atëhershëm David Cameron. Mbas dorëheqjes së tij në korrik të vitit 2016, May u bë lidere e partisë dhe kryeministreshë, që duhej zbatuar vullnetin e popullit për dalje nga BE-ja. Pak më shumë se gjysma e popullit ka votuar për BREXIT atëherë.
Edhe pas dy vjet e gjysmë, populli britanik është i ndarë në dysh, për dhe kundër BREXIT-it. Në shumicë kundër kësaj Marrëveshjeje, siç duket.
Pritet që Qeveria të fitojë megjithatë këtë votë besimi, që mund të ndodhë nesër, sepse konservatorët janë kundër Marrëveshjes por jo për rënie të Qeverisë May dhe as mundësinë që lideri më socialist që ka pasur Partia Laburiste kohët e fundit (Jeremy Corbin) të bëhet kryeministër.
Theresa May duket se do të mbetet në krye të Qeverisë. Nuk dihet se cili do të jetë plani i saj B për realizimin e mandatit popullor për dalje të Britanisë nga BE. Një mundësi, që ajo e ka kundërshtuar, është mbajtja e një referendumi të dytë popullor për BREXIT-in.