Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Në Londër nënshkruan marrëveshje me...

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, Në Londër nënshkruan marrëveshje me BERZH-in

05.05.2017 08:46:13

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, ka udhëtuar sot në Londër, ku së bashku me presidentin e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD), Suma Chakrabarti, do të nënshkruajnë një Memorandum bashkëpunimi për mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme në Kosovë.

I pranishëm në këtë ceremoni të rëndësishme do të jetë edhe ministri i Financave, Avdullah Hoti.

“Kjo marrëveshje që do të nënshkruhet sot në Londër, ndër të tjera, ka të bëjë me bashkëpunimin e mëtejmë të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe Rindërtim në sektorin e financimit dhe do të ofrojë mbështetje të fuqishme për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme në Kosovë”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Ndryshe, Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ka ofruar përkrahje të konsiderueshme për Kosovën, duke marrë në konsideratë edhe stabilitetin financiar dhe reformat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës në këtë mandat.