Kryeministri i Shqipërisë, Rama ndërmjetësues të Erdogani? “Gylenistët” sjellin Thaçin në Tiranë

03.04.2018 22:29:02

Tensionet e krijuara mes Kosovës dhe Turqisë pas deportimit të gjashtë shtetasve turq kanë sjellë në Tiranë Hashim Thaçin.

Presidenti i Kosovës është takuar në një lokal të kryeqytetit me Kryeministrin Edi Rama dhe biseda e tyre ka zgjatur rreth 60 minuta.

Në qendër të bisedës mes tyre mësohet se ka qenë marrëdhënia e ndezur mes Prishtinës dhe Ankarasë.

Vizita informale dhe dreka në një restorant të Tiranës, në fakt fshihte një çështje shumë më formale dhe të rëndësishme. Thaçi u takua për rreth një orë me Kryeministrin Edi Rama, i cili thuhet se ka marrë përsipër të bëjë ndërmjetësin për rekuperimin dhe zgjidhjen e ngërçit të krijuar pas ndalimit dhe ekstradimit të disa qytetarëve turq në Kosovë, që akuzohen nga autoritetet turke si gylenistë, pjesë e rrjetit që organizoi grushtin e shtetit në Turqi.

Rama dhe Thaçi kanë preferuar të takohen jo në zyrën e Kryeministrit, por pak metra më tutje, në ambientet informal dhe kokë më kokë.

Thaçi ka marrëdhënie të mira me Presidentin turk Erdogan dhe si President i Kosovës i cilësoi personat e depërtuar në Turqi si njerëz të përfshirë në aktivitete antiligjore, duke mbrojtur kështu dorëzimin e tyre pranë autoriteteve turke.

Kundër këtij veprimi ka dalë hapur Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili shkarkoi ministrin e Brendshëm dhe kreun e shërbimit informativ, pasi nuk e kishin vënë atë në dijeni. Kjo e çoi në një përplajse ballore me Presidentin Turk, i cili në dy deklarata publike e ka kërcënuar se do të jepte llogari se përse mbështet gylenistët.

Në këtë mes, Edi Rama është ai që ka marrëdhënie të mira me të tre, Thaçin, Haradinajn dhe Erdoganin, duke u përpjekur kështu të rikthejë paqen jo vetëm mes dy aleatëve në Prishtinë, por edhe mes Kosovës dhe Turqisë.

Rama u takua pak ditë më parë me Erdogan në Stamboll.