Kryeministri, Isa Mustafa: Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka bërë pazare me territorin e saj për liberalizim të vizave

03.03.2017 23:41:05

Pas miratimit në Qeveri të Raportit të Komisionit për Matjen e Territorit, kryeministri Mustafa  ka shprehur vlerësimin për punën e Komisionit si dhe ka shprehur rëndësinë që ka konstatimi për të vërtetën për territorin e Kosovës.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Mustafa:

Qeveria sot aprovoi Raportin e ekspertëve për matjen e territorit të Republikës së Kosovës. Raporti konstatoi se sipërfaqja e Kosovës nuk ka ndryshuar për asnjë metër katror si pasojë e Marrëveshjes për shënimin e vijës kufitare me Malin e Zi.

Ky Raport është një dëshmi për këtë gjeneratë dhe për gjeneratat e ardhshme se Kosova nuk kemi humbur territor dhe, po ashtu, në mënyrë të qartë tregon përkushtimin e kësaj Qeverie që të pasqyrojë faktet e drejta para qytetarëve tanë dhe për ta mbrojtur dhe dëshmuar çdo pëllëmbë të këtij vendi.
Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka bërë pazare me territorin e saj për liberalizim të vizave, ashtu siç nuk do të lejojë të cenohet asnjë pëllëmbë e këtij territori. Për mua si Kryeministër i Kosovës është me rënësi të veçantë se Komisioni i ekspertëve ka konstatuar të vërtetën për territorin e Kosovës. Mbetem shumë i përkushtuar që Kuvendi i Republikës së Kosovës të ratifikojë Marrëveshjen për Shënimin e Vijës Kufitare me Malin e Zi, sepse e konsideroj tepër të dobishme për vendin dhe qytetarët tanë, por vendimi për këtë i takon Kuvendit të Republikës së Kosovës në një proces të ardhshëm. IM