Kryeministri, Isa Mustafa: Unë nuk jam penduar për koalicionin me PDK-në

09.06.2017 11:44:24

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, përmes një postimi në Facebook ka thënë se ai nuk është penduar për marrëveshjen e koalicionit të arritur në vitin 2014 me PDK-në.

Prandaj, sipas tij, gënjejnë ata që hapjen e rrugës për njerëz të rinj për kryeministër dhe vendimin e tij për të mos kandiduar për deputet e shpjegojnë si akt moral për shkak të dështimit të koalicionit me PDK-në.

“Për koalicionin u pendua PDK-ja dhe kryetari i saj e jo unë që respektova marrëveshjen. Qeveria, të cilën e drejtova, arriti suksese të jashtëzakonshme në ekonomi, në punësim, në luftën kundër krimit dhe korrupsionit dhe në integrimet evropiane. Qeveri e pa korruptuar dhe e aftë. E vetmja çështje që nuk u përfundua është liberalizimi i vizave, për të cilën përgjegjësinë e kanë ata që e kundërshtuan demarkacionin me Malin e Zi. Ata i lanë qytetarët pa liberalizim!”, ka shkruar Mustafa në Facebook.