Kryeministri kërkoi ndihmën e Mogherinit për demarkacionin

Kryeministri kërkoi ndihmën e Mogherinit për demarkacionin

04.03.2017 11:13:14

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në një konferencë për media me Përfaqësuesen e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogherini, ka konfirmuar përcaktimin e paluhatshëm të Kosovës drejt BE-së.

Ai ka deklaruar se e ka siguruar Mogherinin se Kosova është për dialog dhe marrëdhënie të mira fqinjësore me të gjithë dhe se do të vazhdojë bisedimet me Serbinë, megjithë pengesat që shteti fqinj shfaq.

“Me përkushtim të lartë po punojmë për implemetimin e Marrëveshjes të Stabilizim Asocimit. Jemi duke punuar në drejtim të një shteti ligjor, të rritjes së mirëqenies. Po ashtu jemi për dialog me të gjitha shtetet fqinje. Jemi të gatshëm për vazhdimin e dialogut me Serbinë edhe përkundër kundërshtimeve që kemi nga opozita. Po ashtu për pengesat që kemi nga Serbia, si mungesa e deputetëve serbë në Kuvendin e Kosovës, me ç’rast po mbesin peng procese si Asociacioni i komunave me shumicë serbe, të cilin jemi të gatshëm në çdo moment ta formojmë, konform vendimit të Gjykatës Kushtetuese”.
Mustafa tha, se ka shprehur përkushtimin për zbatimit e marrëveshjes për Asociacionin, por kjo po pengohet nga Lista Serbe e cila po bojkoton Kuvendin.

Ai ka folur edhe për demarkacionin i cili po mbetet peng nga kundërshtimi i opozitës dhe mungesa e Listës Serbe në Kuvend që po pamundëson përmbushjen e kriterit për liberalizmit të vizave.