Kryeministri Mustafa këmbëngulës për arritjen e qëllimeve në të mirë të qytetarëve…

18.08.2016 23:23:37

Kryeministri Mustafa shprehet optimist për ratifikimin e Marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi. Këtë optimizëm kryeministri Mustafa e ka shprehur nëpërmjet një postimi në facebook, në të cilin, po ashtu, ka shprehur edhe këmbënguljen ” për arritjen e qëllimeve, të cilat jemi të bindur se janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj.”.

Më tej, kryeministri Mustafa shton se “Unë po kujdesem vazhdimisht dhe sinqerisht për t’u siguruar që Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi do të mbështetet nga mbi 80 deputetë”.

“Të dashur miq, Qeveria që unë drejtoj është e përcaktuar ta çoj përpara agjendën zhvillimore dhe integruese të Kosovës. Ne kemi program, të cilin po e zbatojmë, pavarësisht problemeve të trashëguara dhe sfidave e pengesave me të cilat po ballafaqohemi. Por, ne jemi këmbëngulës për arritjen e qëllimeve, të cilat jemi të bindur se janë në interes të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Qeveria që unë drejtoj gëzon mbështetjen e një shumice solide në Kuvendin e Kosovës. Por, si kryeministër dhe si njëri prej partnerëve kryesor të koalicionit, për tema të ndjeshme, nuk preferoj asnjëherë të testojë fuqinë e votave. Unë po kujdesem vazhdimisht dhe sinqerisht për t’u siguruar që Marrëveshja për kufirin me Malin e Zi do të mbështetet nga mbi 80 deputetë. Në LDK është duke u sqaruar gjthçka rreth kësaj çështjeje dhe jam optimist se do të jemi unik në mbështetjen e ratifikimit të marrëveshjes. Jam optimist se edhe partnerët e koalicionit po bëjnë të njëjtën gjë me deputetët e tyre.” – thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa.