Kryeministri i vendit, Isa Mustafa ka thënë se ndërtimi i murit në Mitrovicën veriore ka ndodhur pa dijeninë e tij.
“Për fat të keq po kemi shumë tema që po na imponohen nga serbët veçmas nga Beogradi. Unë nuk kam qenë në dijeni. Pse duhet kryeministri me ditë se ku në Kosovë po ndërtohet një mur. S’ka qenë në dijeni askush është inspekcioni në Mitrovicë ata që duhet të dinë se çka po ndërtohet me leje e çka pa leje. Shteti ka drejtorin e inspekcionit e ka kuvendin komunal kryetarin e komunës. Ne kemi marrë informatën kur është parë muri. Nuk ka pas bashkëpunim sa i përket informacioneve prej Mitrovicës veriore. S’ka pas plan urbanistik as projekt për ndërtimin e këtij muri”, ka thënë Mustafa, transmeton lajmi.net.
Sipas tij, ky mur është argument i ndarjes por edhe është në kundërshtim me frymën kushtetuese.
“Fryma kushtetuese kërkon të krijohet bashkim me përkatësit e ndryshme etnike. Unë mendoj se në asnjë rast ne nuk duhet të hidhemi për këtë muri edhe të sillemi për rreth s’kemi arsye kemi argumente më të rëndësishme për punë në Kosovë. Nuk duhet të gjithë të lidhen për një muri i cili në asnjë rast nuk e ka ndërprerë komunikimin ata e kanë izoluar vetën. Duhet të kërkohet nga inspektorati që ata ta bëjnë punën e vet por assesi nuk ta bëjmë temë të rëndësishme në vend. Të merremi me grupe kriminelësh dhe me njerëz të pandërgjegjshëm nuk kemi kohë”, ka theksuar kryeministri.






































