Kryeministri Mustafa: Pa pjesëmarrje të mirëfilltë në tregun evropian nuk ka zhvillim ekonomik

17.04.2017 08:43:20

Nëpërmjet një postimi në facebook, kryeministri Mustafa ka bërë të qartë edhe një herë se rruga e apo aspirata  për anëtarësim në BE kalon nëpërmjet vendimeve të mëdha dhe të guximshme, duke aluduar qartësisht në ratifikimin e demarkacionit me Malin e Zi.

Në këtë postim, kryeministri Mustafa ka bërë të qartë po ashtu se rruga e zhvillimit ekonomik varet nga pjesëmarrja në tregun unik evropian, e që nuk mund të realizohet pa lëvizje të lirë të njerëzve dhe të mallrave, por edhe për qarkullim të dijeve dhe të ndërmarrësisë.

Edhe pse nuk e ka thënë drejtpërdrejt, megjithatë ndërlidhja e zhvillimit eknomik të Kosovës me tregun unik të BE-së, duhet të kuptohet edhe si përgjigje edhe tendencave për të krijuar një treg unik ballkanik jashtë strukturave të BE-së dhe CEFTA-s, kundërshtimin e të cilit kryeministri Mustafa e ka bërë edhe në samitin e sarajevës, por edhe më vonë.

“Të nderuar miq,
Aspiratat tona për tu anëtarësuar në BE duhet ti përmbushim me veprime dhe vendime të mëdha dhe të guximshme.
Bashkimi Evropian u themelua që të mundësojë lëvizjen e lirë të njerëzve, të mirave, shërbimeve dhe kapitalit. Tregu unik evropian mënjanoi barrierat për lëvizje të lirë të faktorëve të prodhimit sikurse edhe të ndërmarrësisë dhe shërbimeve. Kosova ka nevojë të jetë në tregun e BE-së; këtë e mundëson MSA-ja. Kosova ka nevojë për dije evropiane; këtë e mundëson liberalizimi i vizave. Kosova ka nevojë për lëvizje të lirë të mallrave; këtë e mundëson liberalizimi i vizave (ndryshe mallrat nuk mund të lëvizin pa njerëz). Kosova ka nevojë për lëvizje të ndërmarrësisë; edhe këtë e mundëson liberalizimi i vizave.
Jemi bllokuar nga BE, me një kusht të pakuptimtë ashtu siç jemi bllokuar nga vetvetja me një kauzë politike të paqëndrueshme por edhe të dëmshme për perspektivën e vendit. Në një formë, ne mund ti kuptojmë paragjykimet e disa burokratëve evropian në përcaktimin e kushteve që nuk ua kanë përcaktuar të tjerëve, por duhet të gjejmë forcë të tejkalojmë vetveten për të qarë rrugën evropiane, atë të perspektivës ekonomike dhe kulturore. Ne duhet të arrijmë atje ku e kemi qëllimin, pa marrë parasysh se kjo rrugë nuk është pa pengesa. Fundja rrugë tjetër nuk kemi, prandaj çdo vonesë na dëmton.
Pa pjesëmarrje të mirëfilltë në tregun evropian nuk ka zhvillim ekonomik çfarë neve na nevojitet. IM” -thuhet në postimin e kryeministrit Mustafa në facebook.