Kryeministri Mustafa: Po zgjidhim problemet vitale të qytetarëve, ujin, energjinë, ngrohjen

17.03.2017 15:17:02

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, mori pjesë në inaugurimin e Fabrikës së re të Ujit të pijshëm në Shkabaj të Prishtinës, nga funksionalizimi i të cilës do të furnizohen me ujë të pijshëm 24 orë banorët e Komunës së Prishtinës, Obiliqit dhe Fushë Kosovës, ndërkaq do të përfitojnë edhe komunat e Podujevës, Graçanicës, Drenasit, Lipjanit dhe Shtimes.

Para të pranishmëve, kryeministri Isa Mustafa u shpreh i kënaqur që po merr pjesë në promovimin e një prej investimeve më të mëdha në Kosovë që ka të bëjë me ujin, në këtë rast të Ujësjellësit Rajonal “Prishtina”.

“Është kënaqësi e madhe që ne po zgjidhim problemet më të rënda të qytetarëve, problemin e ujit, problemin e energjisë, atë të ngrohjes, që nuk e kanë rënduar vetëm Prishtinën si komunën më të madhe të Kosovës dhe kryeqendrën e Kosovës, por kanë ngarkuar edhe komunat e tjera”, tha kryeministri.
Më tej, kryeministri theksoi se me këtë nuk po zgjidhet vetëm problemi i furnizimit të rregullt me ujë të Prishtinës, por edhe të gjashtë komunave që janë të ndërlidhura me këtë ujësjellës rajonal, të cilat do të kenë ujë më shumë, për arsye të furnizimit më të madh.
“Unë veçmas jam i kënaqur, sepse edhe mua më ka rënë hise para pesë viteve kur e kemi përgatitur dokumentacionin për këtë investim që të nënshkruajmë, që të përcaktojmë strukturën e financimit. Më vjen mirë që Komuna e Prishtinës i ka përmbushur të gjitha obligimet e veta në shumë prej pesë milionë eurove, programi IPA i Bashkimit Evropian, poashtu Banka Zhvillimore Gjermane prej 20 milionëve dhe kështu, kemi arritur që të realizohen dhe të kryhet përafërsisht në afatin e paraparë. Sot, po shfrytëzoj rastin që t’ju uroj juve, qytetarëve të Kosovës, qytetarëve të Prishtinës dhe veçmas të falënderoj shtetin gjerman, Bankën Gjermane, Komisionin Evropian për një investim shumë të rëndësishëm, sepse nuk ka gjë më të mirë se sa qytetarëve t’iu sigurohet uji dhe nevojat elementare te tyre”, tha kryeministri Mustafa.
Qeveria e Kosovës ka dhënë 5 milionë euro për ndërtimin e kësaj Fabrike.