Kryeministri Mustafa: Territori i Kosovës është shuma e territorit të komunave të saj

23.08.2016 23:33:38

Kryeministri Mustafa në një postim në facebook ka trajtuar ndryshimin që është vërejtur kohëve të fundit në qasjen e kundërshtuesve të demarkacionit me Malin e Zi, të cilët tash pohojnë se komunat nuk po humbin, por po humb Kosova.

Në postimin e tij, kryeministri Mustafa sqaron se “Kosova nuk ka territor që nuk përfshihet në një komunë, nuk ka territor të veçuar të të komunave dhe territor të shtetit të Kosovës”, prandaj, shton ai “shuma e territoreve të komunave përbëjnë territorin e Kosovës”.

Një çështje tjetër që e trajton në postimin e tij kryeminstri Mustafa, është çështja e keqpërdimit të shkencës për të mbrojtur një kauzë të trilluar, dhe në këtë kontekst trillimin dhe skencën i krahason me karrigen dhe fiskuluturën.

Edhe paraqitjet e atyre që quhen shkencëtarë të fushës së shenjimit të kufijve, e që janë një grumbull hartash, sipas kryeministrit Mustafa, nuk përngjajnë në shkencë. Ai thotë se këto harta “përdoren pa burimeempirike dhe pa një metodologji shkencore që do të mundësonin të paraqiten faktet në trajtën e sistemeve dhe të jenë të krahasueshme me rastet tjera”.

Ky është postimi i plotë i kryeministrit Mustafa: 

“Fjalia më e përfolur e atyre që kundërshtojnë shënjimin e kufirit me Malin e Zi është: “Kosova rrezikon të humbë 8200 hektarë”. Pastaj vazhdohet me konkluzionin se , komunat nuk po humbin, duke iu referuar Pejës, por po humb Kosova.
Kjo flet për një mungesë të njohurive elementare nga kjo fushë. Sepse, Kosova nuk ka territor që nuk përfshihet në një komunë, nuk ka territor të veçuar të komunave dhe territor të shtetit të Kosovës. Ai është një. Shuma e territoreve të komunave e përbëjnë territorin e Kosovës. Ndryshon vetëm pronësia, e cila mund të jetë private, publike (komunale , e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve qendrore), shoqërore (e firmave që nuk janë privatizuar). Tjetër territor nuk ka.
Gabimi është kur keqpërdoret shkenca për të mbrojtur një kauzë të trilluar politike. Shkenca dhe trillimet politike janë si karriga dhe fizkultura. S’kanë asgjë të përbashkët. Veç se e devalvojmë shkencën.
Shkenca definohet si veprimtari njohëse dhe përgjithësim teorik i dijeve objektive për natyrën, shoqërinë dhe të menduarit, të cilat paraqiten në trajtën e sistemeve të njohurive në fusha e degë të caktuara. Çfarë deri sot është prezantuar nga ata që thirren se janë shkencëtarë të fushës së shënjimit të kufijve (gjeografë, gjeodetë, juristë) nuk përngjan në shkencë. Është një grumbull hartash, që përdoren pa burime empirike dhe pa një metodologji shkencore që do të mundësonin që të faktet të paraqiten në trajtën e sistemeve dhe të jenë të krahasueshme me rastet e tjera.”