Kryeministri Rama: Nuk tërhiqem nga taksa! Vandalët do i përgjigjen Prokurorisë

01.04.2018 20:11:02

Teksa në Kukës situata paraditen e sotme nuk është paraqitur aspak e qetë, pas mësymjes së forcave të rendit në shtëpitë e protestuesve për t’i arrestuar, kryeministri Edi Rama ka dalë në një konferencë për mediat, duke deklaruar se nuk do të ketë asnjë tërheqje përballë protestuesve.

Kryeministri sqaroi se jo më shumë se 60 ditë, “do të përfundojmë diskutimin e nisur prej disa javësh me kompaninë koncensionare, përsa i përket sistemit që do të përdoret për përdoruesit e shpeshtë të rrugës dhe mënyrës sesi do të adresohet lëvizja e banorëve më në nevojë nga gjendja ekonomike”.

Kreu i ekzekutivit tha se do të ndërmerret një komunikim intensiv shpjegues, “sepse dezinformomi dhe manipulimi i opinionit publik dhe i njerëzve në Kukës ka triumfuar gjatë shpjegimeve që janë dhënë gjatë debateve të ditëve të fundit”.

Duke iu drejtuar gazetarëve me ashpërsi, Rama kërkoi që të lexojnë kontratën me koncensionarin e Rrugës së Kombit, pasi aty theksohet se ka një sistem të posaçëm që do të vihet në punë për përdoruesit e shpeshtë dhe konferenca e djeshme e tij nuk duhet të trajtohet sikur ka bërë një tërheqje

“Këtu s’ka asnjë tërheqje për të  bërë, por ka nevojë për të luftuar dezinformimin që orkestrohet nga zjarrnxitësit e Tiranës dhe që për fat të keq gjen të gjitha dyert hapur në pasqyrat mediatike të Tiranës. Më vjen shumë keq, pasi ka një vit që kompania ka bërë goxha punë deri tani, ngrihet një furtunë në gotë dhe derdhet benzinë e ndizet zjarr mbi pronën e përbashkët dhe mbi një investim që do të duhet ta dëmshpërblejë buxheti i shtetit”, u shpreh Rama.

Lidhur me sjelljen e policisë në drejtim të protestuesve dhe një video që qarkullon në rrjet, ku një efektiv qëllon me gur një protestues që nuk kundërpërgjigjet por ruan qetësinë, Rama u shpreh se ata kaluan perimetrin e përcaktuar për tubimin dhe kjo përbën shkelje të ligjit.

“Në radhë të parë dihet se ka një vijë të përcaktuar për protestë. Godet apo s’godet, po kalove vijën je në shkelje të ligjit dhe në ato kushte që ishin dje, policia ka bërë më të mirën e mundshme, duke ruajtur gjakftohtësinë përballë një tufe vandalësh, të cilët do të marrin të gjithë ndëshkimin e merituar”, deklaroi kryeministri.

Rama nënvizoi se “kush shkon me benzinë me vete në një protestë, s’është qytetar por vandal” dhe ata që dhunuan policinë do të ndëshkohen siç e përcakton ligjit. “Me ta do të merret Prokuroria dhe Gjykata. Nuk merrem më unë”, tha kreu i qeverisë.

Ndërkohë sipas Ramës “deri në këtë moment, kompania ka bërë 15.2 milionë euro investime”

“Nuk ka asnjë shans, asnjë mundësi që kjo rrugë të mund të mirëmbahet pa pagesë dhe nga ana tjetër është tërësisht e parashikuar që të ndërtohet një sistem i posaçëm me kartë aboneje për banorët e zonës. Do të fillojmë menjëherë rindërtimin e pikës dhe sistemi në fjalë për banorët do të jetë i qartë dhe s’do të ketë më asnjë ekuivok. Dhe ata që janë përdorues të shpeshtë në atë zonë do të jenë të qartë, se do të marrin abone”, theksoi ai.