Kryeministri, Ramush Haradinaj: Nuk ka mundësi që pagat e mësimdhënësve të rriten më shumë

21.01.2019 12:11:58

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinajt gjatë vizitës që bëri te varri i ish-presidentit, Ibrahim Rugova, u pyet edhe për vendimin e SBASHK-ut për vazhdimin e grevës.

Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë ka refuzuar një ofertë nga kryeministri Haradinaj, për rritjen e pagave 20 milionë euro në vit për mësimdhënësit.

Por, kryeministri Haradinaj sot deklaroi që nuk ka mundësi që pagat e mësimdhënësve të rriten më shumë.

Ai deklaroi që një grevë e tillë nuk mund të vazhdojë, pasi fëmijët kanë humbur shumë mësim.

“Si do të ndodh nëse ta zëmë në fund të këtij muaji mund të votohet ligji për pagat pa ndryshime dhe pastaj ata do të duhej të kthehen në punë se nuk munden pa kufi, ju kanë humbur fëmijëve shumë ditë mësim. Pra, duhet të mendojnë edhe ata për përgjegjësitë që i kanë në vend, ne kishim pas dëshirë me ua rrit sa më shumë, por realitetet janë këto në vend, nuk kemi mundësi më tutje dhe mundësia që ekziston është shfrytëzuar”, deklaroi kryeministri Haradinaj.

Shefi i ekzekutivit Kosovar bëri thirrje që të ulen dhe të diskutojnë Sindikata dhe Këshilli grevist.

Ofertën e tij për rritje të pagave, Haradinaj e cilësoi si lajm të mirë për arsimin.

“Mirë është ata me u ulë me diskutua, Sindikata, këshilli grevist, të gjithë me e kuptua se çka bëhet fjalë se ndoshta nuk kanë pasur kohë me absorbua mirë atë që ka ndodhur dje. Ajo është një lajm i mirë për arsimin, mendoj më i mirë i mundshmi që ka mundur me iu ardhë. Mendoj që e meritojmë një falënderim prej të gjithëve për një angazhim serioz, për marrjen në kujdes të kërkesave dhe që të fillojmë me mësim nesër”, tha Haradinaj.