Kryen operacionin, Hashim Thaçi del në këmbë nga spitali

23.04.2020 23:57:00

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi i është nënshtruar një operacioni në veshka pasditen e së enjtes. Lajmin e konfirmoi zyra e Presidentit të Kosovës sipas së cilës operacioni ka qenë i suksesshëm.

“Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot pasdite i është nënshtruar një intervenimi kirurgjik endourologjik në Klinikën e Urologjisë në Shërbimin Spitalor Kliniko-Universitar të Kosovës. Sipas personelit mjekësor, operacioni ka qenë i suksesshëm dhe presidenti është nën kujdesin e vazhdueshëm të personelit mjekësor profesional” – thuhet në njoftim.

Pak orë më pas vetë Thaçi shkroi në Facebook se e ka lënë spitalin. Ai ka publikuar një foto teksa del nga spitali i shoqëruar nga djali i tij, Entriti dhe një mjek.

“Sapo jam liruar për trajtim në shtëpi, pas një intervenimi që kisha sot në Klinikën e Urologjisë së Qendrës Klinike Universitare të Kosovës. U jam shumë mirënjohës mjekëve dhe stafit për trajtimin profesional. Po ashtu, i falënderoj të gjithë miqtë dhe përkrahësit që më kanë shkruar dhe janë interesuar për gjendjen time shëndetësore” – shkruan Thaçi.

Prej disa ditësh gjendja shëndetësore e Thaçit është lakuar shumë në media. Presidenti pati një kontroll më 20 prill, dhe shkoi sërish në spital, më datë 21, por nga ana e Presidencës nuk u komentua asgjë për rëndim të gjendje shëndetësore. Ndërsa kreu i shtetit iu nënshtrua ditës së sotme një ndërhyrje kirurgjikale në spitalin e QKUK-së.