Isa Mustafa, Kryetar i LDK’së dhe dy Nënkryetarët, Agim Veliu e Lutfi Haziri kishin organizuar prezantimin e Arban Abrashit për Kryetar të LDK’së.
Në krejt këtë ceremoni ishin injoruar të gjithë kryetarët e Degëve të LDK’së në Prishtinë.
Madje, nuk ishte ftuar as Ismet Beqiri, Kryetar i Degës së V të LDK’së dhe Sekretar i Përgjithshëm i kësaj partie.
Pa ftesa ishin edhe katër kryetarët tjerë të degëve më të rëndësishme të LDK’së në Prishtinë.
Kryetari i Degës së IV’së, Halim Muçolli thotë se nuk e di pse nuk u ftuan të marrin pjesë në ceremoninë e inaugurimit të Abrashit si kandidat i LDK’së për Kryetar të qytetit më të rëndësishëm në Kosovë.
“Vetëm nga mediat kemi marrë informacione. Asnjëri prej Kryetarëve të Degëve nuk ka marrë pjesë”, ka thënë Muçolli, dega e të cilit pati propozuar Vjosa Osmanin për Shefe të Prishtinës.
Arban Abrashi fitoi kandidaturën për Kryetar të Prishtinës në një garë me Ismet Beqirin e Avdullah Hotin, i cili në fund ishte tërhequr nga synimi për të qenë i pari i Prishtinës. Në një votim të fshehtë, i aplikuar për herë të parë në LDK, kishte fituar Arban Abrashi përballë Ismet Beqirit.
Ndërkohë, Beqiri, në një reagim publik, të shtunën, tha se i vjen keq pse LDK nuk e propozoi për Kryetar të Prishtinës. Tha se kishte përkrahjen e të gjitha strukturave të LDK’së. Madje, në atë reagim, Sekretari i Përgjithshëm i LDK’së nuk e tha se do të përkrahin Arban Abrashin për Shef të Prishtinës.
Ndërkohë, Halim Muçolli thotë se e kanë obligim të përkrahin kandidaturën e Abrashit pavarësisht veprimeve të Kryesisë së LDK’së.
“Sigurisht se ne do ta përkrahim kandidaturën e Abrashit. Por, duhet të mblidhemi dhe të hartojmë një strategji për fitore”, ka shtuar ai.
Arban Abrashi, ish-Ministër dhe tash deputet, ka hyrë në garë për t’u bërë Shef i Prishtinës në një garë ku ballafaqohet me Shpend Ahmetin e Vetëvendosjes, Arbër Vllahiun e AAK’së, Lirak Çelajn e PDK’së e Selim Pacollin e AKR’së.
Prishtina prej pasluftës deri më 2013 ishte udhëhequr prej LDK’së. Fillimisht, Kryetar ishte Ismet Beqiri deri më 2007, pastaj Isa Mustafa deri më 2013, kur edhe humbi përballë Vetëvendosjes.