Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, në Londër takon ministrin Evans

13.09.2016 13:56:19

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, z. Ilir Meta, nisi sot një vizitë zyrtare parlamentare në Mbretërinë e Bashkuar, shoqëruar nga Arta Dade, Kryetare e Komisionit të Punëve të Jashtme. Delegacioni shqiptar u mirëprit në Parlamentin Britanik nga Zv. Kryetari i Dhomës së Ulët z. Lindsay Hoyle dhe zhvilloi takime të veçanta me znj. Madeleine Moon, Kryetare e Grupit të sapokrijuar të Miqësisë me Shqipërinë, Lord Boëness, Sekretar i Grupit të Miqësisë dhe Komisioneren Parlamentare për Standardet, znj. Kathryn Hudson.

Gjatë takimeve të ditës së parë, Kryetari i Kuvendit z. Ilir Meta nënvizoi me interlokutorët britanikë rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe, veçanërisht pas referendumit britanik mbi anëtarësinë në BE.Meta theksoi se marrëdhëniet me Britaninë e Madhe kanë qenë gjithnjë të rëndësishme dhe në këtë drejtim, të dy parlamentet duhet të punojnë më ngushtë së bashku për intensifikimin e bashkëpunimit dypalësh. Në këtë drejtim, z. Meta shprehu mirënjohjen për krijimin e Grupit të Miqësisë me Shqipërinë në Parlamentin Britanik duke shprehur njëkohësisht bindjen se anëtarët e grupit do të japin një kontribut të çmuar për forcimin e shkëmbimeve dhe kontakteve ndërparlamentare. Gjatë mbrëmjes së parë, Presidenti i Grupit Britanik të Unionit Ndërparlamentar, deputeti z. Nigel Evans organizoi edhe një pritje të veçantë për nder të Kryetarit të Kuvendit dhe delegacionit shqiptar.Nigel Evans, President i Grupit britanik të Unionit Ndërparlamentar në parlamentin britanik gjatë pritjes për nder të delegacionit shqiptar u shpreh: “Mirësevini Kryetari Meta dhe delegacioni shqiptar në Londër. Shumë ndryshime në Shqipëri këto vite dhe ne jemi të lumtur për të dëshmuar progresin substancial që ka bërë vendi juaj gjatë viteve të fundit. Ne duam të shohim më shumë britanikë që vizitojnë vendin tuaj të bukur dhe të paprishur dhe jemi shumë të lumtur për të rritur bashkëpunimin tonë parlamentar në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë. Ju uroj mirëseardhjen në parlamentin britanik”.

Meta mbajti edhe një fjalë ku theksoi se dy Parlamentet kanë shumë punë për të bërë, jo vetëm në rritjen e mëtejshme të shkëmbimeve parlamentare, por gjithashtu në nxitjen e qeverive respektive për të punuar më ngushtë bashkë, veçanërisht në fushat e sigurisë, anti-terrorizmit, luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, drejtësisë, dhe sigurisht, në rritjen e shkëmbimeve tregtare dhe ekonomike me synimin për të mirëpritur më shumë investime britanike në Shqipëri dhe në rajonin e Evropës Juglindore.