Kryetari Lladrovci me kryetarin e komunës finlandeze, konfirmojnë thellimin e bashkëpunimit në arsim

30.11.2017 22:01:22

Kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, takimin e parë e zhvilloi me kryetarin e komunës Laukaa, Jakko Kiiskila, i cili është mikpritës dhe bëri ftesën me rastin e shënimit të 100 Vjetorit të Pavarësisë së Finlandës.

Kryetari i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci takoi sot kryetarin e komunës Laukaa, e cila shtrihet në qendër të Finlandës Jakko Kiiskila me bashkëpunëtorë e tij.

Në fillim kryetari Jakko Kiiskila i uroi mirëseardhje kolegut të tij nga Kosova, dhe shprehu mirënjohje për kryetarin Lladrovci për vizitën e tij të parë në Finlandë. Më pas Koiskiila theksoi rëndësinë e bashkëpunimit të shkollave ndërmjet dy vendeve. Ai theksoi se ndihet mjaftë i lumtur për bashkëpunimin e deritashëm. Pas një prezantimi të përgjithshëm dhe përmbajtësor lidhur me funksionimin e komunës në përgjithësi, kryetari nga Laukaa, foli edhe për investimet e shumta që është duke bërë kjo komunë në të gjitha fushat. Ai tregoi për zhvillimin e hovshëm të këtij rajoni, si dhe mundësive të mëdha që ofron kjo komunë. Më pas Koiskila i ofroi mundësinë e bashkëpunimit kryetarit Lladrovci pos arsimit edhe në fusha tjera.

Pastaj kryetari Lladrovci falënderoi kolegun e tij finlandez për ftesën dhe mikpritjen, foli për sifidat nëpër të cilat po kalon komuna e Drenasit si dhe mundësitë që ofron kjo komunë për investitorët e huaj. Ai ftoi biznesët dhe investitorët finlandezë që të investojnë në komunën e Drenasit.

Një rëndësi të veçantë gjatë takimit Lladrovci i kushtoi fushës së arsimit. Pastaj kryetari Lladrovci e ftoi kolegun e tij nga Finlanda për ta vizituar Drenasit, gjithashtu dhe për shënimin e 10 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, kolegu nga Laukaa e pranoi me kënaqësi ftesën për të festuar bashkë 10 vjetorin e pavarësisë, ai po ashtu tha se historia e Finlandës dhe Kosovës kanë shumë gjëra të përbashkta.

Gjatë këtij takimi të pranishëm ishin edhe Pertti Parkkonen, kryetar për çështje të arsimit, zonja Helinä Patana, drejtore e gjimnazit “Laukaan lukio”, Arja Paakkinen, zyrtare për arsim në këtë komunë, si dhe zotëri Ilkka Linderoos, përgjegjës për bashkëpunim ndërkombëtar.

Drejtorja e shkollës Patana çmoi lartë këmbimin e nxënësve dhe mësimdhënësve ndërmjet gjimnazit nga Drenasi dhe gjimnazit nga Laukaa, ajo tha se e ka mbështetur këtë bashkëpunim do ta mbështes edhe në të ardhmën. Ajo shprehu mirënjohje për Drenasit për mikpritjen që u kanë bërë nxënësve dhe mësimdhënësve finlandezë gjatë vizitës së tyre këtë vit në Drenas.

Patana gjithashtu tha se ndihet mjaftë mirë që nxënësit nga gjimnazi i Drenasit po marrin pjesë aktive në mësim në shkollën që ajo drejton, si dhe në aktivitetet tjera shkollore. Ajo theksoi se ndihet mjaftë e lumtur që nxënësit nga Kosova po tregojnë zell të madh, si dhe është plotësisht e kënaqur me anglishten e tyre shumë të mirë.

Drejtorja Patana më pas tregoi se nxënësit nga Kosova do të jenë pjesë e programit për shënimin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Finlandës.

Ndërsa Arja Paakkinen vlerësoi lartë bashkëpunimin e deritashëm dhe uroi për vazhdimin si dhe thellimin e bashkëpunimit, ajo gjithashtu ofroi edhe mbështetjen e saj në këtë drejtim. Gjithashtu edhe zotëri Ilkka Linderoos ofroi gjithë mbështetjen e tij për vazhdimin thellimin dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e arsimit.

Për nder të kryetarit Lladrovci, u shtrua edhe një drekë zyrtare. Më pastaj kryetari Lladrovci i shoqëruar nga zyrtarë finlandezë vizitoi dy biznese shumë të suksesshme, një qendër rehabilitimi Peurunka si dhe një biznes tjetër, Tupaswilla.

Në ditët në vazhdim kryetari Lladrovci do të takojë ekspertë të kurrikulave si dhe trajnerë të fushës së arsimit.