Kryetari Svarqa merr përsipër strehimin e familjes Zeqiri të cilës iu dogjën dy shtëpi

31.10.2017 21:26:48

Kryetari i komunës së Ferizajt Muharrem Svarqa ka vizituar sot familjen Zeqiri në Ferizaj së cilës i janë djegur mbrëmë dy shtëpi nga një zjarr i furishëm.

Ai është solidarizuar më humbjet materiale që kanë pësuar këto familje, por ka thënë se është lajm i mirë fakti që nuk ka humbje në njerëz këtu.
Kryetari Svarqa me këtë rast ka ofruar ndihmën institucionale për të dy familjet duke ua paguar qëranë deri në rregullimin e shtëpive të tyre.

“Kjo fatkeqsi që ka goditur familjen Zeqiri është vërtet një humbje për ta, por fatmirsisht që nuk ka pasur pasoja në njerëz.
Neve si institucione na takon të kujdesemi për të gjithë qytetarët kur ata kanë nevojë, ndërkaq edhe në këtë rast po bëjmë krejt atë çka është e mundur në mënyrë që humbja e tyre të përballohet sa më lehtë.
Këto familje do të vendosen nëpër banesa private, kurse komuna do t’ua paguajë qëranë deri sa të jetë e nevojshme.
Ndërsa ne do të angazhohemi edhe për ndërtimin e shtëpive të tyre sa më shpejtë që të jetë e mundur” tha kryetari Svarqa.

Kurse nga ana tjetër Ajshe Zeqiri kryefamiljare në këto shtëpi ka falënderuar kryetarin Svarqa dhe të gjithë ata që i janë gjendur pranë në këto momente jo të lehta për të.
“Kryetari u tregua një mik shumë i mirë ndaj nesh dhe e falënderojmë përzemrësisht për të gjitha mundësitë. Në mes dhembjes të marrësh këtë përkrahje qenka vërtetë shumë e nevojshme “ tha ajo.
Familja Zeqri po ashtu ka thënë se ka nevojë për gjëra të tjera të cilat i janë djegur nga zjarri ndërsa ka falënderuar njerëzit zemërmirë që i kanë ofruar ndonjë ndihmë këto dy ditë.