Taulant Kryeziu, njohës i procesit të integrimit, ka vlerësuar se Kosova nuk ka shënuar progres sa i përket përmbushjes së kriterit të fundit për liberalizim të vizave.
“Duke pasur parasysh tri fakte kryesore: Kosova nuk ka shënuar progres në trajtimin e rasteve të krimit të organizuar dhe korrupsionit të nivelit të lartë, si dhe duke pasur parasysh mjedisin jashtëzakonisht negativ politik në BE për çështje të migrimit, kërkesën e Këshillit për Komisionin për të raportuar se a është duke vazhduar përmbushja edhe e kritereve të tjera e bën që procesi të ketë vonesa, gjë që zvogëlon gjasa shumë për ta siguruar liberalizimin e vizave këtë vit”, ka deklaruar ai.
Megjithatë, Kryeziu mbetet optimist se rekomandimi, që së shpejti do të publikohet nga KE, do të jetë pozitiv.
“Pres që raporti të jetë pozitiv dhe Komisioni ta rekomandojë liberalizimin e vizave për Kosovën. Por nuk duhet harruar një gjë se raporti është pjesa teknike e procesit i cili kërkon një vendimmarrje politike në Këshill, aty ku unë pres rezistencë të fuqishme politike të vendeve anëtare siç janë Franca, Gjermania dhe Holanda”, ka theksuar ai.
Sipas tij, mosliberalizimi eventual i vizave do të jetë një mesazh i qartë dhe i fuqishëm i BE-së për klasën politike në Kosovë, siç është shprehur ai, për të reflektuar në drejtim të një qeverisjeje më të mirë të qytetarit.





































