Nga Dije Lohaj
Sot 30 vite më parë, ndoshta pikërisht, më 21:04 minuta, ndodhesha në zyret e hetuesisë në Ferizaj si pjesmarrëse e protestave që u bënë në qytetin tim…Të mos flas për maltretimet, fizike e psiqike sepse janë të tepërta fjalët kur ishte situata për këso ngjarjesh…Më merrnin në pyetje disa hetues serb që shërbenin atëbotë këtu nga Beogradi, sepse disa nga policiët tanë i kishin suspenduar….
E sot me erdhën në mendje fluturimthi edhe demostratat e vitit ’81, edhe burgosja ime dhe e mikeve te mia në vitin ’83, edhe demostratat e vitit ’89. Vitet e rinisë që ia falëm qytetit, Kosovës e Kombit! Vitet që kanë shênuar historinë; vite që u shënjuan me njomësinê tonê; vite që nuk duhen harruar!
Ndërsa sot kur u promovua aktiviteti i grave…
Ja, nga distanca po rri dhe po i shoh gjithë ato bëma, programe e fjalime, zbulim pllake, njerëz pjesmarrës e jo pjesmarrës të asaj kohe, shkëputje ngjarjesh e plot e plot risi… përveç tjerash edhe një gjë vura re sot: mungesên time dhe tê disa bashkëvuajtêseve të mia…
Eh, 30 vite me parë isha në dhomat e hetuesisë, ku bota ishte bërë sa zerroja, e po rrënohej… Ndërsa, sot po rri e po vështroj episodin, që dikur isha personazh e sot vetēm shikuese përmes TV-së….!
NË DHOMËN TIME NUMËR 3
Nuk dua të shkruaj poezi
Për qelinë time numër 3,
Për ditëgërvishtjet
Që çdo ditë gërvisht në mur
Një, dy, tre.
Deri te shenja e lirisë…
Zgjas duart e prek aty ku prehet ëndrra,
Prek lart, paskajshmërinë e ëmbël,
Prek ditët me radhë,
Në ftohtësinë e këtij muri të qelbur,
Harlis ditënetët
Në drithërimën e purpurt të shpirtit,
Brenda këtyre mureve,
Duke shënjuar shfaqjen matanë fontanës.
Një pëllëmbë tutje gjembave,
Derdhet barit të dergjur
Gjysmëshpirti im
Gjysmës së piramidës
Shënjon shenjat e secilës ditë.
Në dhomën time numër 3,
Unë, Dija, po pres letrat e tua,
Ashtu siç të pritja ty buzëmbrëmjeve,
Tek vije lakuriq në ëndrrat e mia,
Në shijet e zjarrta, të errëta
Për të nxirë globin tim,
Në dëshpërimin pa numër,
Që shpërthente në fytyrat tona.
Unë pres letrat prej andejshmi
Të shoh mbi to shumë,
Të shoh më shumë se shumë,
Të shoh më pak se hiç,
Gjysmën tënde e gjysmën time,
Kur dallgë deti me gjysmat tona
Përkundin qenësinë paqevrarë.
Dhoma ime numër 3,
Tmerri im numër 3,
Ëndërrimet e mia numër 3,
Nga këtu
Biseda jonë vazhdon me letra,
E ndaluar madje edhe një puthje…
Dhoma ime numër 3,
Galeri fatkeqe ndjenjash
Një lloj letre që s’thahet,
Një lloj lule jorgovani,
Që varur rri mbi degë ditësh paqethara.
Nuk dua të shkruaj poezi!!
Megjithatë, e shkruajta këtë poezi
Për qelinë time numër 3 në Mitrovicë,
Që të përkund qenësinë paqevrarë,
E në letra të palos faqet e jetës sime,
Deri te shenja e lirisë.