Kukës, opozita takon drejtorin e policisë, Spaho: Të ndalen arrestimet!

01.04.2018 21:12:27

Protesta e dhunshme e ditës së djeshme në “Rrugën e Kombit” ka prodhuar një situatë tepër të tensionuar në qytetin e Kukësit, ku policia lokale e ndihmuar nga forcat speciale të ardhura nga Tiranë në mbrëmje, kanë kryer disa arrestime.

Ndërkohë që familjarët e të arrestuarve janë mbledhur përpara dyerve të Komisariatit, në qarkun verilindor ka zbarkuar edhe opozita e vendit, ku deputetë të njohur të PD e LSI takuan banorët dhe anëtarë të Këshillit bashkiak të Kukësit, por edhe drejtorin e policisë në qarkun verilindor.

Grupi i deputetëve opozitarë rreth orës 12:40 hyri në ambientet e Drejtorisë së Policisë Kukës, ku morën informacione dhe sqarime lidhur me arrestimet e kryera pas mesnate.

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edmond Spaho pasi doli nga takimi, i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama që të japë urdhër për të ndalur arrestimet për protestën, pasi situata mund të eskalojë nëse vazhdohet në këtë formë.

“Atij i thamë që i ka prerë në besë qytetarët e Kukësit, pasi dje u është kërkuar që në këmbim të anulimit të protestës nuk do të arrestohet njeri. Gjatë natës si në diktaturë janë arrestuar 24 persona dhe janë lëshuar urdhër-arreste edhe për aq të tjerë. I kërkuam drejtorit ta ndërpresë këtë klimë, i kërkuam që të lirojnë të arrestuarit që i kanë çuar në Tiranë dhe t’i futemi rrugës së dialogut. Nëse vazhdohet kështu situata mund të eskaloj. Shpresoj që ky zë të jetë dëgjuar”, deklaroi Spaho.

Ndërkohë përfaqësuesi i LSI-së, Endrit Braimllari tha se “Rama s’mund të instalojë diktaturën në Kuksës”.

Sipas deputetëve të opozitës, mes të arrestuarve ka të moshuar, gjendja shëndetësore e të cilëve mund të përkeqësohet nga trajtimi i policisë.

Më shumë se 10 deputetë të opozitës po monitorojnë nga afër situatën në Kukës.

Nga Partia Demokratike të pranishëm janë: Flamur Noka, Edmond Spaho, Isuf Çela, Romeo Gurakuqi, Aldo Bumçi, Oriola Pampuri, Ervin Salianji, Izmira Ulqinaku, ish-deputeti Alban Zeneli,  Albana Vokshi, Enkelejd Alibeaj dhe Sekretari i përgjithshëm Arben Ristani.

Nga LSI janë të pranishëm deputetët: Endrit Brahimllari, Floida Kërpaçi dhe Përparim Spahiu.