“Kumanova”, pala mbrojtëse kërkon për dëshmitarë Ahmetin e Grubin

09.04.2017 15:38:06
Gjyqi për Grupin e Kumanovës i cili ngarkohet për veprën e terrorizmit do të vazhdojë pas 10 ditësh me dëshminë e Beg Bajrës. Pasi të dëgjohen dëshmitë e të gjithë të akuzuarve në sallën e gjyqit në cilësinë e dëshmitarit pritet të ulen edhe politikanë e ekspertë të ndryshëm.

Në mesin e dëshmitarëve të cilët do të propozohen nga pala mbrojtëse janë lideri i BDI-së Ali Ahmeti, shefi i kabinetit të tij Artan Grubi, ndërmjetësuesit e OSBE-së, ish ministra e Brendshme Gordana Jankullova, ish kreu i Drejtorisë së Sigurisë dhe Kundërzbulimit Sasho Mijallkov si dhe ish ministri Mitko Çavkov. Avokati Naser Raufi thotë se dëshmitarët që do propozohen fillimisht do të duhet të pranohen nga Trupi Gjykues.

Edhe avokati Asmir Alispahiq konfirmon se zyrtarët e lartë do të munden të jenë dëshmitarë vetëm nëse pranohen si të tillë nga gjykata.

Disa prej zyrtarëve janë shprehur të gatshëm për të dëshmuar për zhvillimet në Lagjen e Trimave në 9 dhe 10 maj të vitit 2015 në Kumanovë nëse një gjë e tillë u kërkohet.