Kureshti të kalendarit e të letërsisë

23.04.2020 09:29:58
Servantesi dhe Shekspiri kanë vdekur në të njëjtën datë, por jo në të njëjtën ditë
Prej vitit 1995, me vendim të UNESCO-s, kjo ditë, 23 prilli, shënohet si Dita Botërore e Librit dhe e të Drejtës së Autorit (World Book and Copyright Day) në nderim të këtyre dy shkrimtarëve, në radhë të parë, ndonëse kjo ditë shënon lindjen ose vdekjen edhe të disa shkrimtarëve të tjerë të njohur.
Më 23 prill 1606 kanë vdekur Servantesi (Miguel de Cervantes), shkrimtari spanjoll, autori i “Don Kishotit”, romanit të parë dhe ndoshta më të madhit deri sot, dhe Uilliëm Shekspiri (William Shakespeare), dramaturgu e poeti anglez, më i madhi dramaturg i botës.
Ka shumë gjasë që Shekspiri ta ketë lexuar Servantesin në përkthim në anglisht, por jo Servantesi Shekspirin.
Romani i Servantesit “Don Kishoti” (pjesa e parë, botuar së pari më 1605) u botua në anglisht më 1612. Më 1613 Shekspiri dhe kolegu i tij më i ri Xhon Fleçeri nisën dramatizmin e historisë së Kardenios (Cardenio) të çmendur prej dashurie që ishte thurur në aventurat e kalorësit të lojtur mendsh të Servantesit. Kjo dramë ka humbur.
Servantesi dhe Shekspiri rroken në veprat e veta me ndeshjen ndërmjet idealeve dhe realitetit, ndërmjet imagjinatës dhe realitetit.
Në një koincidencë historie, Servantesi dhe Shekspiri kanë vdekur në të njëjtën datë por jo në të njëjtën ditë. Në atë kohë Spanja përdorte kalendarin gregorian, ndërsa Anglia ende kalendarin julian.
Me kalendarin gregorian që vendet katolike si Spanja, Italia dhe Portugalia e kanë aplikuar nga viti 1582, ndërsa vendi protestant Anglia nga viti 1752, Shekspiri ka vdekur më 3 maj.
Megjithatë, ditë e lindjes dhe e vdekjes së Shekspirit shënohet 23 prilli. Një koincidencë tjetër interesante që Bardi anglez ka të njëjtën ditë të lindje dhe vdekjes. Jetoi 52 vjet.
Shekspiri u varros në kshën e qytezës së tij të lindjes në Stratford-upon-Avon.
Trupi i Servantesit 69-vjeçar u varros në një varrezë masive, U identifkua disa shekuj më vonë, para pesë vjetësh, më 2015. Inicialet e tij në arkivol (M. C.) dhe plagët në gjoksin dhe dorën e tij u bënë shenja për identifikim të eshtrave të tij.
Prindët e Shekspirit shpëtuan të birin e vet të sapolindur nga murtaja në vitin 1564, duke u mbyllur në karantinë, në kohën kur një e katërta e popullisë së qytezës së tyre Stratford uket se kishte vdekur prej murtaje.
Shkrimtari anglez duhet të ketë shkruar disa nga veprat e tij të mëdha, ndër të tjera “Mbretin Lir“,gjatë kohëve kur murtaja kishte pllakosur Londrën.
Ndërmjet viteve 1603 dhe 1613, në kulmin e fuqisë krijuese të Shekspirit, teatri i tij “Globi“ dhe teatro të tjera të Londrës kanë qëndruar mbyllur nja 78 muaj, mbi 60 përqind të kohës.